Autoritetet shëndetësore në Karolinën e Jugut kanë njoftuar se numri i rasteve me fruth ka arritur në 153, pas shtimit të nëntë rasteve të reja që nga përditësimi i fundit.
Shpërthimi është përqendruar në veriperëndim të shtetit, përfshirë zonat Greenville dhe Spartanburg. Sipas Departamentit të Shëndetit Publik, 145 të infektuarit nuk ishin të vaksinuar, ndërsa pjesa tjetër kishte status të pjesshëm ose të panjohur vaksinimi.
Siç shkruan Reuters, aktualisht, 249 persona ndodhen në karantinë dhe 7 në izolim.
Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse, që mund të shkaktojë komplikime të rënda si pneumonia dhe encefaliti. Ekspertët theksojnë se mbulimi i vaksinimit duhet të arrijë në 95% për të siguruar imunitet kolektiv.
Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të humbasin statusin e eliminimit të fruthit pas shpërthimeve të mëdha këtë vit, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet të vendosë në janar për këtë çështje.
