Mesazhi i Krishtlindjes i Osmanit nga Janjeva: Dashuri, paqe dhe shpresë

Mesazhi i Krishtlindjes i Osmanit nga Janjeva: Dashuri, paqe dhe shpresë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar mbrëmë familjen e Vjekoslav Tošić nga komuniteti kroat dhe familjen e Anton Gashit në Janjevë, me rastin e festave të fundvitit, për t’ua përcjellë urimet më të sinqerta për Krishtlindje.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidentja Osmani theksoi se festat e fundvitit janë momente kur vlerat njerëzore marrin kuptim më të thellë dhe kur shtëpitë mbushen me ngrohtësi, dashuri e shpresë.

Ajo vlerësoi frymën e bashkëjetesës dhe traditën e përbashkët të kremtimit të festave, duke nënvizuar se paqja, respekti dhe mirëkuptimi janë vlera që i kanë bashkuar gjithmonë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre.

“Kosova jonë është më e fortë falë kësaj fryme bashkëjetese, mikpritjeje dhe solidariteti, që na ka mbajtur të lidhur ndër breza,” ka theksuar Presidentja Osmani.

Në fund, ajo shprehu falënderim të veçantë për mikpritjen e ngrohtë të të dyja familjeve, duke uruar që fryma e Krishtlindjes të sjellë paqe dhe mirësi në çdo familje.

Related Articles