Tërmkolli: Fenomeni i vjedhjes së votave ka qenë gjithmonë i shprehur në LDK

Tërmkolli: Fenomeni i vjedhjes së votave ka qenë gjithmonë i shprehur në LDK

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka thënë se fenomeni i vjedhjes dhe zhvendosjes së votës nga një kandidat te kandidati tjetër i preferuar ka qenë më i shprehuri në LDK së paku që 15 vjet.

“Ka kohë që kam shkruar se deputetët e LDK, një pjesë e madhe e tyre nuk bëhen deputet nga vota e qytetarëve por nga afërsia e tyre me shefat e partisë e bosat e hajnisë dhe me blerje votash”, ka shkruar Tërmkolli në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se në vitin 2019 i kishte zënë në vjedhje masive të votave të saj në Fushë Kosovë, në Gjilan, në Podujevë, etj.

“Në Shtërpcë p.sh, ku lehtë dallohej vjedhja, nga gjithsej 300 vota të LDK-së kisha fituar mbi 250 nga të cilat 100 m’i kishin hequr, pra i kishin vjedhur, jo partitë tjera por njerëz të ashtuquajtur të LDK-së! Në rast ankese, edhe aty i kishin njerëzit e vet, bosat e hajnisë me petk politik! Mediat heshtnin, analistat çele gurë gojen, organet e drejtësisë të pa trazuara”, ka shkruar tutje Tërmkolli.

Sipas saj tani po shihet se vjedhja e votës së kandidatëve për deputet brenda partisë është bërë fenomen te të gjitha partitë.

“Veç drejtësia e zgjidhë këtë çështje me dënime jo vetëm ndaj komisionerëve të shitur, por më tepër ndaj bosave e kandidatëve që kanë blerë vota”, ka nënvizuar Tërmkolli.

Related Articles