Cakolli nga KDI: Rreth 80 mijë vota të kandidatëve në zgjedhjet e Kosovës rezultojnë të pasakta pas rinumërimit

Cakolli nga KDI: Rreth 80 mijë vota të kandidatëve në zgjedhjet e Kosovës rezultojnë të pasakta pas rinumërimit

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë të ditur se nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit (QNR), rreth 80 mijë vota të kandidatëve për deputetë kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht.

Sipas Eugen Cakollit nga KDI, në Kosovë kanë pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, dhe secili votues kishte të drejtë të votojë deri në 10 kandidatë.

“Numri i përgjithshëm i votave preferenciale për kandidatët arrin në rreth 6.8 milion, që do të thotë se mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth 7 kandidatë në fletëvotim”, ka shkruar Cakolli.

Ai shtoi se nga rreth 80 mijë vota të afektuara, 47,619 vota u hoqën nga kandidatët pasi ishin shtuar gabimisht gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota iu shtuan kandidatëve pasi ishin hequr më parë në mënyrë të pasaktë.

“Brenda këtyre votave, afërsisht 40 mijë i takojnë kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, 11 mijë LDK-së dhe 4 mijë AAK-së”, theksoi ai.

Cakolli nënvizoi se mbi 80% e këtyre votave të pasakta vijnë nga komuna e Prizrenit, ndërsa komunat e tjera të prekura janë Malisheva dhe Podujeva.

“Rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, së bashku me centralizimin e numërimit në QNR, e ka bërë procesin shumë më të cenueshëm ndaj abuzimeve. Kur të dhënat përpunohen nga një numër i vogël personash – që në disa raste janë familjarë apo të afërm të kandidatëve – ndërhyrjet mund të prodhojnë devijime të mëdha në rezultate”, tha ai.

Ai thekson se ky proces rrit nevojën për monitorim më të rreptë dhe mekanizma shtesë të sigurisë për të garantuar integritetin e votës.

Related Articles