Betejë për kryesinë e LDK-së: Hoti në garë, Abdixhiku ende në lojë

Betejë për kryesinë e LDK-së: Hoti në garë, Abdixhiku ende në lojë

Partia që doli e treta për nga votat në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet që së shpejti të ketë kryetar dhe udhëheqësi të re, ndonëse ende nuk dihet nëse Kuvendi i kësaj partie do ta votojë pro dorëheqjes së Lumir Abdixhikut i cili aktualidht mbanë pozitën e të parit në parti, shkruan Gazeta Enigma.

Abdixhiku dorëzoi kërkesën për dorëheqje tek Kuvendi i partisë, pas rezultatit të pakënaqshëm që partia e tij korri në zgjedhjet e fundit.

“Kam obligim moral dhe politik të jap dorëheqjen. Kuvendi le të vendosë përmes votës nëse e pranon apo jo dorëheqjen”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se, nëse Kuvendi i partisë nuk e pranon dorëheqjen e tij, do të jetë i detyruar të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e kryetarit.

Se a do të aprovohet apo do të refuzohet dorëheqja e Abdixhikut, mbetet të kuptohet të shtunën, kur do të mblidhen delegatët e LDK-së.

Ndërkohë, nënkryetarja e deritanishme, Hykmete Bajrami, veçse ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, duke bërë thirrje për ndryshim të udhëheqësisë.

Edhe pse ende nuk dihet nëse Abdixhiku do të vazhdojë apo jo si kryetar, dikush tjetër nuk e pati të vështirë ta shpallë kandidaturën për këtë pozitë.

Ish-kryeministri dhe tani deputeti, Avdullah Hoti, zyrtarisht ka shpallur kandidaturën për kryetar të kësaj partie.

Hoti tha se në këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, “unë zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë”.

“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë”, deklaroi ai.

Dushi: Jam në pritje të kandidaturave të tjera

Anëtari i LDK-së, Florian Dushi, nuk konfirmoi nëse e përkrah Hotin për kryetar, por tha se është në pritje të kandidaturave të tjera.

“Jam në pritje. Të shohim se çfarë do të zhvillohet deri në fund. Unë e përkrah vetëm rritjen dhe konsolidimin e LDK-së”, tha Dushi në një prononcim të shkurtër për Gazetën Enigma.

Enigma provoi të kontaktojë edhe akterë të tjerë të lartë të LDK-së, por të njëjtit nuk pranuan të japin komente.

“Lumir Abdixhiku po punon që të mos pranohet dorëheqja e tij”

Opinionisti i njohur, Xhavit Drenori, thotë për Gazetën Enigma se teknikisht mund të llogariten dy kandidatura për kryetar të LDK-së, pasi sipas tij, kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, po punon brenda strukturave që të mos pranohet dorëheqja e tij dhe të mbetet në këtë pozitë.

“Lumir Abdixhiku ka ofruar dorëheqjen, por po punon brenda strukturave që ajo të mos pranohet”, tha Drenori.

Sa i përket Hotit dhe Abdixhikut, Drenori thotë se që të dy janë figura të provuara.

“Avdullah Hoti nuk e ka udhëhequr LDK-në, por ka qenë kryeministër në kohën kur LDK-ja mori një rezultat të dobët në zgjedhje, pikërisht gjatë kohës kur Hoti udhëhiqte qeverinë. Në anën tjetër, kemi një LDK të udhëhequr nga Abdixhiku, i cili, edhe pse ishte në opozitë, mori një rezultat jo të mirë. Kemi dy figura që e kanë udhëhequr LDK-në drejt rezultateve të dobëta”, deklaroi Drenori për Enigmën.

“Prandaj, të dy figurat që synojnë ta udhëheqin LDK-në nuk paraqesin risi për këtë parti”.

“Mund të ketë ndarje të thellë brenda LDK-së”

Duke mos paraqitur risi, Drenori thotë se mund të ketë ndarje më të thellë brenda dy grupeve, njëri që e përkrah Hotin dhe tjetri Abdixhikun.

“LDK-ja, kur ka marrë rezultate të këqija në zgjedhje, ka emëruar një lider që nuk ka qenë më parë i provuar në aspektin e udhëheqjes, dhe në këtë rast situata nuk është e njëjtë. Mosgjetja e një figure të re është një rrezik për ndarje më të thellë brenda LDK-së, e cila nuk dihet se ku mund të përfundojë”, përfundoi analisti Drenori.

Abdixhiku e Hoti, “letra të djegura” përballë Albin Kurtit

Analisti tjetër politik, Arton Muhaxheri, thotë se LDK-ja ndodhet përballë një situate serioze, por se të dy opsionet – Abdixhiku dhe Hoti – janë “letra të djegura” përballë Albin Kurtit.

“I përbashkët i tyre është fakti se, në periudha të ndryshme, e kanë sjellë LDK-në në të njëjtin nivel elektoral – rreth 13% – çka dëshmon një krizë të thellë politike dhe strategjike të partisë”, thotë Muhaxheri për Gazetën Enigma.

Për këtë arsye, Muhaxheri sugjeron që LDK-ja të dalë përtej këtyre dy figurave dhe të kërkojë një alternativë tjetër për drejtimin e partisë.

“LDK-ja ka mjaft figura dhe kapacitete për të ndërtuar një lidership të ri, më bindës dhe më konkurrues. Në të kundërtën, nëse partia mbetet e mbyllur në të njëjtin rreth emrash dhe logjikash të konsumuar, rreziku i fraksionizimit pas 31 janarit është real dhe i pashmangshëm”, u shpreh më tej analisti politik.

Pse LDK pritet të ketë kryetar të ri?

Zërat brenda LDK-së për një kryetar të ri vijnë pas dështimit të partisë në zgjedhjet nacionale, si dhe në zgjedhjet e tjera paraprake.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, LDK-ja doli e treta me 18.27 për qind.

Ndërkohë, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK-ja doli edhe më keq: sërish e treta, por me vetëm 13.23 për qind të votave. /Gazeta Enigma

Related Articles