Tre zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës dyshohen se kanë kërkuar ryshfet në vlerë prej 5,500 deri në 6,000 euro për t’ia mundësuar një kompanie private ekzekutimin e pagesave për punë të kryera në kuadër të mirëmbajtjes dimërore të rrugëve në kryeqytet.
Sipas kërkesës për paraburgim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, shuma e kërkuar përfaqësonte rreth 10 për qind të vlerës së dy faturave të papaguara, në vlerë totale mbi 55 mijë euro, të cilat kompania fituese e tenderit kishte dorëzuar për punët e kryera.
Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Reporteri.net dyshohet se Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku, duke shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare në Komunën e Prishtinës, i kanë kërkuar pronarit të kompanisë private para ryshfeti në këmbim të përshpejtimit dhe realizimit të pagesave të faturave.
“Gjatë muajit Janar 2026 në Prishtinë të pandehurit Afrim Gashi – Zyrtar i lartë për infrastrukturë rrugore në Komunën e Prishtinës dhe menaxher i kontratës për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Prishtinë, Dukagjin Gashi – Udhëheqës i sektorit për menaxhimin e mbeturinave dhe ambientit në Komunën e Prishtinë dhe Bashkim Sadiku – Zyrtar i lartë për energji në Komunën e Prishtinës të pandehurit në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshje paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë planifikuar dhe koordinuar aktivitete korruptive, ashtu që gjatë muajit janar e kanë takuar të dëmtuari E.G – pronar i kompanisë Dardania SHPK, fitues i tenderit për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në Komunën e Prishtinës me qëllim të ekzekutimit të pagesave lidhur me punët e kryera i kanë kërkuar para ryshfet 5500-6000 euro, apo 10% të vlerës së dy faturave të pa paguara, me qëllim që t’ia mundësojnë pagesën e faturave në vlerë 27,384.08 euro dhe në vlerë 28,010.40 euro, lidhur me tenderin “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net.
Të martën e 27 janarit, njëri nga të dyshuarit, Afrim Gashi, është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se ka pranuar 2,000 euro ryshfet, pjesë e shumës së kërkuar, ndërsa veprimet dhe takimet e tjera janë dokumentuar përmes masave të veçanta hetimore, përfshirë incizime audio dhe komunikime telefonike.
“Me datën 27.01.2026 në kohën dhe vende të ndryshme në Prishtinë të pandehurit Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshje paraprake për të pranuar ryshfet kishin lënë takim me të dëmtuarin E.G, ashtu që në ora 8:40 në rrugën Zagrebi në Prishtinë fillimisht i pandehuri Afrim Gashi e takon të dëmtuarin E.G në mënyrë të kundërligjshme, pranon shumë prej 2000 euro veturën e tipit Audi A4, ku aty arrestohet në flagrancë nga policia e Kosovës, pastaj i dëmtuari rreth orës 09:49 afër shkollës Gjergj Fishta në Prishtinë e takon të pandehurin Dukagjin Gashi dhe qëndrojnë për disa minuta së bashku me të pandehurin Dukagjin Gashi dhe ku i ka nxjerrë paratë prej 2000 euro”, thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e paraburgimit për 30 ditë, duke vlerësuar se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe pengimit të hetimeve, për shkak të peshës së veprave penale dhe pozitave zyrtare të të dyshuarve.
Hetimet po zhvillohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
