Skenari i njëjtë, koha e ndryshme. Kështu mund të përshkruhen “kacafytjet” e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me Listën Serbe. Njëherë nuk u certifikuan për zgjedhjet lokale, herën tjetër për zgjedhjet nacionale, e tash KQZ nuk ia certifikoi listën e kandidatëve për deputetë Listës Serbe, e cila fitoi 4.49% të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit – çka përkthehet në 9 deputetë, shkruan Gazeta Enigma.
Anëtarët e KQZ-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), votuan kundër; abstenuan anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe dy anëtarët nga komunitetet joserbe.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se është kundër certifikimit të Listës Serbe dhe kandidatëve të saj.
“Unë jam kundër certifikimit të Listës Serbe, bashkë me kandidatët e tyre”, tha Kurteshi gjatë mbledhjes.
Faktori ndërkombëtar sërish reagoi ashpër
Nga Ambasada Amerikane në Prishtinë thanë se vendimi i KQZ-së është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha një zëdhënës i Ambasadës.
Bashkimi Evropian po ashtu shprehu “shqetësim serioz”, duke përsëritur thirrjen e tij për “depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve”.
“BE u bën thirrje të gjitha partive të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, tha një zëdhënës i BE-së.
“VV ka të drejtë, pasi po i sjell vota”
Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, thotë për Gazetën Enigma se kjo është një çështje totalisht politike e LVV-së, pasi një raport i tillë me Listën Serbe “po i sjell vota”.
“Vetëvendosja ka të drejtë, sepse realisht kjo është politika që po i sjell më së shumti vota. Prandaj ata po e bëjnë një politikë të tillë që ua ka sjellë 51% të votave. Pra, nga këndvështrimi i Vetëvendosjes, kanë të drejtë, për shkak se një politikë e tillë po sjell vota”, tha Arifi.
Arifi po ashtu ka kritika për faktorin ndërkombëtar, pasi sipas tij, ata po janë “të paqartë”.
“Sa i përket ndërkombëtarëve, edhe ata po janë të paqartë. Nuk e kanë qartësinë se çfarë po dëshirojnë. Në momentin që ‘50 herë’ përsëritet një çështje, atëherë nuk ka më kuptim të flitet për të. Në këtë rast, Vetëvendosja e ka kuptuar lojën dhe po e luan jashtëzakonisht zgjuar”, deklaroi Arifi për Enigmën.
“Ne e dimë se bazë juridike nuk ka. Prandaj është vendim politik. Vërehet që po i sjell simpati të madhe te qytetarët shqiptarë”, shtoi ai.
“Sa ka faj VV që votoi kundër, aq kanë faj edhe ata që abstenuan”
Eksperti i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, thotë se aq sa është fajtore LVV për moscertifikimin e Listës Serbe, po aq faj kanë edhe anëtarët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe ata të komuniteteve joshumicë joserbe që abstenuan.
“Kjo është e tëra një çështje politike. Nuk ka të bëjë fare me aspektin ligjor. Ata (Lista Serbe) kanë fituar rreth 4% të votave, që është një rezultat i vështirë për t’u mohuar. Votimi kundër ka qenë një vendim kryekëput politik, pasi është bërë nga përfaqësuesit e partive politike. Sa është faji i Lëvizjes Vetëvendosje, po aq është edhe faji i partive të tjera që kanë abstenuar. Ata kanë heshtur dhe kanë ngurruar ta zbatojnë ligjin”, deklaroi Nrecaj për Gazetën Enigma.
Nrecaj tha se, mbi të gjitha, “është e papranueshme nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, sepse ai e di se çështje të tilla, pa bazë juridike, nuk guxon të lejohen të mos votohen”.
“Ata (Lista Serbe) iu janë nënshtruar të gjitha proceseve, rregullave dhe ligjeve, kanë dalë në zgjedhje, nuk ka pasur ndonjë ankesë dhe gjithçka ka shkuar në harmoni me ligjin. Përderisa nuk ka ndalesë ligjore, nuk mund t’ia mohosh një partie politike të drejtën për të qenë në Kuvend”, deklaroi më tej Nrecaj.
Lista Serbe u ankua në PZAP
Pas moscertifikimit, Lista Serbe është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Pritet që, si herët e tjera, PZAP ta urdhërojë KQZ-në që ta certifikojë rezultatin.
Igor Simiq nga Lista Serbe tha se vendimi i KQZ-së vë në dukje “se regjimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, po përpiqet t’i pengojë anëtarët e komunitetit serb të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.
“Me këtë vendim, Kurti dëshiron t’i anulojë 42.759 vota të serbëve të rritur që donin të tregonin qartë se kë duan në institucione dhe kë e konsiderojnë të denjë për të luftuar për të drejtat e tyre dhe për t’i përfaqësuar ata brenda institucioneve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka humbur epitetin e një institucioni të pavarur”, ka thënë Simiq në një prononcim për media.
Gjuriq: Vendimi i KQZ-së, sulm ndaj të drejtave politike të serbëve
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se vendimi i KQZ-së përfaqëson një tjetër “sulm serioz ndaj të drejtave të popullit serb në Kosovë”.
“Në vend të shtensionimit dhe rikthimit të besimit, ne jemi dëshmitarë të hapave të rinj që thellojnë mosbesimin dhe konfirmojnë se heqja sistematike e të drejtës së votës së serbëve mbetet praktikë dhe jo përjashtim”, ka shkruar Gjuriq.
Ai ka thënë se është veçanërisht i shqetësuar pse ky vendim është marrë në kohën kur Bashkimi Evropian ka nisur t’i largojë masat ndëshkuese kundër Kosovës.
Gjuriq ka thënë se Serbia do të vazhdojë të insistojë, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, “që të ketë respektim të të drejtave politike dhe elektorale të popullit serb”.
/GAZETA ENIGMA
