Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, rolin e Turqisë në misionin e KFOR-it, si dhe për mundësitë e përforcimit të marrëdhënieve ekonomike.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe rolin e rëndësishëm të Turqisë në misionin e NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe komandën e KFOR-it.
“Ai theksoi se ky bashkëpunim në fushën e mbrojtjes do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe falënderoi ambasadorin Angılı dhe Republikën e Turqisë për gatishmërinë dhe partneritetin”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit u diskutua edhe për raportet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Në këtë kuadër, u trajtua mundësia e organizimit të një forumi të biznesit në Prishtinë, pas forumit të parë që ishte mbajtur në Stamboll në qershor të vitit 2024.
Ambasadori Angılı e uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ndërsa Kurti e falënderoi për takimin dhe komunikimin e vazhdueshëm, si dhe për ftesën e Republikës së Turqisë për pjesëmarrje në Forumin Diplomatik në Antalia.
