Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”, kanë shpallur një protestë kundër paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 13:00, pranë ndërtesës së KEDS-it dhe do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në komunikatën e tyre për media, organizatorët kritikojnë rritjet e pandërprera të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i quajtur ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët. Sipas tyre, KEDS-i ka kërkuar rritje të vazhdueshme të çmimeve, kërkesa të cilat janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke e rrezikuar mirëqenien e qytetarëve.
“Qytetarët e Kosovës sot nuk paguajnë vetëm koston reale të rrymës, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e KEDS-it, vetëm për të garantuar fitime gjithnjë e më të mëdha për këtë kompani”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, organizatat theksojnë ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë dimrit dhe rritjen e kostos së jetesës si pasojë të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ato rikujtojnë gjithashtu rritjen prej 16.1% të miratuar vitin e kaluar dhe paralajmërimin për një tjetër rritje prej rreth 20% këtë vit, të cilën e quajnë “zhvatje të hapur ndaj qytetarëve”.
Sipas deklaratës, KEDS-i vazhdon të përfitojë nga energjia e prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke e blerë atë me çmime të ulëta dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumëfish më të larta. Organizatorët e protestës theksojnë se kjo situatë po rrit varfërinë dhe po dëmton interesin publik në mënyrë të theksuar.
Në kuadër të protestës, organizatat paraqesin dy kërkesa kryesore: refuzimin e menjëhershëm dhe pa ekuivok të kërkesës së KEDS-it për rritje të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nisjen e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike, kërkesë kjo që mbështetet edhe nga sindikatat.
“Ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Vetëm së bashku mund ta ndalim këtë hajninë shumëvjeçare dhe ta rikthejmë energjinë elektrike në shërbim të popullit”, thuhet në komunikatë.
