Kosova nesër i mëson kundërshtarët e parë në Ligën B

Kosova nesër i mëson kundërshtarët e parë në Ligën B

Për herë të parë Kosova do të garojë në Ligën B të Ligës së Kombeve në futboll.

Është ky niveli i dytë i garës kontinentale për ekipe përfaqësuese, përmes të cilës u zëvendësuan miqësoret dhe u rritën të ardhurat financiare për federatat nacionale.

Edicioni 2026/2027 i Ligës së Kombeve është i pesti i kësaj gare. Dhe dëshmon rritjen e Kosovës në futboll në vitet e fundit.

Liga e Kombeve është e ndarë në katër nivele, përkatësisht liga. Në Ligën A janë ekipet më të forta përfaqësuese. Në Ligën D janë ekipet më të dobëta.

Shorti për edicionin e pestë tërhiqet të enjten (nesër) nga ora 18:00 në Bruksel.

Për short, Kosova është në vazon e katërt së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut. Me këto përfaqësuese nuk mund të përballet.

Në vazon e parë të Ligës B janë Skocia, Hungaria, Polonia dhe Izraeli. Në vazon e dytë janë Zvicra, Bosnjë-Hercegovina, Austria dhe Ukraina. Vazoja e tretë përbëhet nga Sllovenia, Gjeorgjia, Irlanda dhe Rumania.

Kosova në grup do të ketë nga një përfaqësuese të tri vazove të para.

UEFA nuk lejon ndeshjet e Kosovës me Bosnjë-Hercegovinën, por problematike në aspektin politik dhe të sigurisë mund të jenë ndeshjet eventuale me Rumaninë. Ndoshta edhe me Ukrainën e Gjeorgjinë. Ka shumë që nuk i dëshirojnë as ndeshjet me Zvicrën, sidomos pasi së fundi në Prishtinë u fishkëllye Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës.

Ndeshjet e xhiros së parë të Ligës së Kombeve janë prej 24 deri më 26 shtator të këtij viti.  Xhiroja e dytë është prej 27 deri më 29 shtator, ndërsa e treta prej 30 shtatorit deri më 3 tetor. Menjëherë prej 4 deri më 6 tetor është xhiroja e katërt, ndërsa dy xhirot e fundit të fazës grupore janë prej 12 deri më 14 nëntor dhe prej 15 deri më 17 nëntor.

Kosova kaloi në Ligën B duke e mposhtur para një viti Islandën në dy ndeshje të plejofit.

Related Articles