“ZPS nuk ka prova që Veseli drejtoi SHIK-un gjatë luftës”

“ZPS nuk ka prova që Veseli drejtoi SHIK-un gjatë luftës”

Avokati i Veselit, Rodney Dixon, tha se ZPS-ja nuk ka prova për të mbështetur “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale [NPK] që pretendon kundër klientit tim”.

Ai tha se ZPS-ja ka përdorur një intervistë të Veselit të dhënë në shkurt të vitit 2011 për një media në Kosovë, ku ai ka përshkruar se në fillim nuk kanë pasur detyra të ndara në UÇK, por kontribuonin si të mundeshin. Organizim më i mirëfilltë është bërë pas ardhjes në krye të UÇK-së të Agim Çekut.

Por, Dixon pretendoi se ZPS-ja ka shtrembëruar atë që Veseli ka dhënë në këtë intervistë, duke thënë se kjo po përdoret si provë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së veproi në mënyrë kolektive.

“Klienti im nuk ka thënë që kemi vepruar në mënyrë kolektive. Ai thjesht ka dashur të thotë se ne po punonim së bashku kundër armikut. Ai ka folur për strukturat, për të thënë se kemi pasur më shumë organizim, jo përgjegjësi kolektive”, tha Dixon.

Ai kërkoi nga trupi gjykues që të trajtojë me kujdes peshën e intervistave që janë dhënë shumë kohë pas luftës.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë. Kjo në fakt është teori konspirative. ZPS po arrin fundin kur pikërisht përpiqet të tregojnë se këto janë prova që zoti Veseli ka kontribuar për NPK-në”, tha ai.

Ai poashtu ka hedhur poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për funksionimin e Shërbimit Informativ të Kosovës në kohën e luftës dhe drejtimin e tij nga Veseli.

“Asnjë provë nuk na ka sjell ZPS se SHIK ka qenë funksional në atë kohë.Vetëm pas luftës u krijua struktura e Shërbimit Informativ, vetëm në atë kohë ishtë në gjendje të drejtonte atë”.

Ai theksoi se provat tregojnë se gjatë luftës ishte e pamundur të krijohej një strukturë e tillë.

“Kur Veseli flet për zhvillimin e Shërbimit Informativ i Kosovës (SHIK) pas luftës, ajo s’ka të bëjë fare me atë që mund të ketë ndodhur gjatë luftës. Nëse pas luftës po konsiderohej marrja e ndonjë informacioni, kjo nuk do të thotë se diçka e tillë ka ndodhur edhe gjatë luftës.”, deklaroi Dixon.

Related Articles