Nga ëndrra në realitet – Si e përjetoi ish deputeti Geci ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?

Nga ëndrra në realitet – Si e përjetoi ish deputeti Geci ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?

Sot, Kosova shënon 18-vjetorin e Pavarësisë dhe Sovranitetit, një përvjetor që rikthen kujtesën e 17 shkurtit të vitit 2008, ditë kjo kur u vulos vullneti i një populli që pët vite me radhë kërkoi liri dhe shtetësi, shkruan Gazeta Enigma.

Tetëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova feston si shtet i ri në moshë, por me përgjegjësi të mëdha dhe një rrugë të gjatë që e pret drejt konsolidimit të plotë shtetëror, e drejt rrugës euroatlantike.

Ky përvjetor nuk është vetëm simbolik, por edhe një moment reflektimi për klasën politike mbi nevojën për unitet institucional dhe forcim të demokracisë.

Në një seancë historike të 17 shkurtit në vitin 2008, në Kuvendin e Kosovës u shpall shtet i pavarur me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë nga 109 deputetë, përfaqësues të vullnetit politik dhe qytetar të vendit.

Mes 109 deputetëve që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë ishte edhe Gani Geci, atëkohë deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Pjesëmarrja e tij në atë seancë mbetet dëshmi e përfshirjes së spektrit të gjerë politik në një nga momentet më vendimtare të historisë së shtetit të Kosovës, ku dallimet partiake u lanë anash në emër të një qëllimi të përbashkët: Pavarësia dhe shtetësia e vendit.

Në një intervistë për Gazetën Enigma, ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, rrëgen se si, si kontribues në luftën e Kosovës në vitin 1999, nuk e kishte besuar ndonjëherë se do të ishte gjallë dhe do të përjetonte shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Gjatë intervistës, ish deputeti Geci thotë se distancimi nga politika e Ibrahim Rugovës ka qenë ngecja më e madhe e shtetit të Kosovës.

Ndër të tjera, ish-deputeti i Republikës së Kosovës thekson se Kosova sot është shumë më mirë se në vitin 2008, si në aspektin ekonomik, juridik, ashtu edhe atë të sigurisë.

Intervista e plotë:

ENIGMA: Pas 18 viteve Pavarësi, a është Kosova më afër vizionit apo më larg vizionit që kishit atë ditë?

Gani Geci: Kosova sot është më afër vizionit që ne kemi pasur atëherë, për arsye se si shtet jemi më mirë në aspektin ekonomik, juridik dhe atë të sigurisë. Në kohën kur e kemi shpallur Pavarësinë, nuk e kishim asnjë institucion; tani i kemi të gjitha institucionet tona. Atëherë kemi qenë të mbikëqyrur, tani nuk jemi.

ENIGMA: Ju keni qenë deputet dhe dëshmitar i drejtëpërdrejtë i asaj seance historike në Kuvendin e Kosovës. Cili ka qenë për ju momenti më emocional gjatë viteve të kaluara?

Gani Geci: Nuk mund që secili të jetë nënshkrues dhe bartës i asaj kohe e i asaj politike, unë kam pasur fatin që të jem bartës edhe i luftës për liri. Kam pasur fatin gjithashtu të jem edhe njëri prej atyre që ka kryer aksionin e parë kundër forcave serbe më 7 korrik të vitit 1999 me urdhër të komandantit legjendar Adem Jashari dhe në të njëjtën kohë të jem edhe nënshkrues i Pavarësisë së Kosovës. Do të thotë që përpjekjet e mia nga viti 1990 deri në vitin 2008 kanë qenë të vazhdueshme dhe i konsideroj sikur të arrira më të mëdha timen, ku Pavarësinë e Kosovës nuk kam menduar se do ta arrija ndonjëherë, por kam pasur fat që jam gjallë dhe e kam arritur.

ENIGMA: Kur mendoni se Kosova është zhvilluar më së shumti?

Gani Geci: Sipas mendimit tim dhe si dikush që e sheh politikën pa qenë brenda saj, Republika e Kosovës më së shumti ka pasur zhvillim në kohën e udhëheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, sidomos në aspektin ekonomik.

ENIGMA: Cilat janë dëshirat më të mëdha institucionale që e kanë ngadalësuar zhvillimin e shtetit në këto 18 vite?

Gani Geci: Kushdo që largohet nga politika largpamëse e presidentit Rugova duhet të mbajë përgjegjësi për ngecjen e shtetit, si largimin nga ideja për anëtarësim në NATO, largimi i idesë për marrëdhënie të përhershme me Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata që nuk punojnë në këtë drejtim duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne vetëm me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ecim përpara. Si Republikë duhet të jemi vigjilentë dhe t’u përgjigjemi kërkesave të tyre sa më pozitivisht, sepse ata gjithmonë më shumë po e duan Pavarësinë e shtetit tonë se vet ne.

Deklarata e Pavarësisë u miratua në seancën e mbajtur më 17 shkurt 2008 nga 109 deputetë nga 230 deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin.

Kjo deklaratë u lexua nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ishte e bazuar në Planin e Ahtisaarit.

Deklarata u firmos nga 110 nënshkrues: 109 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Kosova deri sot njihet si shtet i pavarur nga rreth 110 shtete. /Gazeta Enigma/

Related Articles