Kryeministri Albin Kurti priti në një takim Lordin Cromwell, anëtar të Dhomës së Lordëve, dhe deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers.
Ata i shprehën urimet popullit të Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë dhe e përgëzuan Kurtin për mandatin e tij të ri qeverisës.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe te mundësitë që Kosova ofron për investime dhe investitorë të huaj. Po ashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe siguria në rajon dhe në kontinent.
“Kryeministri i falënderoi për vizitën dhe urimet, si dhe për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për rolin historik dhe kontributin e çmueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin, pavarësimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Bëhet e ditur se Kurti po ashtu theksoi prioritetet e Qeverisë, veçanërisht projektet e mëdha infrastrukturore të parapara për këtë mandat të ri, investimet kapitale që do të tejkalojnë vlerën prej 1 miliard euro në vit, si investimet në siguri dhe mbrojtje.
