Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu deklaroi se për çështjen e Presidentit seanca do të thirret sapo të sigurohen 30 nënshkrime nga dy kandidatë, duke bërë të ditur se paraprakisht do të zhvillohen takime me të gjitha partitë parlamentare.
Haxhiu shtoi se, ndonëse sipas disa interpretimeve afati përfundon më 4 mars, ajo nuk mund të veprojë pa u plotësuar kushti i nënshkrimeve.
“Për këtë çështje ju lutem të diskutoni me përfaqësuesit e LVV-së. Natyrisht, si Kuvend ne duhet t’i kryejmë përgjegjësitë që kemi. Unë, sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me këtë. Para së gjithash, do të kemi takime me të gjitha partitë politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Sipas interpretimeve, më 4 mars gjithçka do të përfundojë, mirëpo nuk mund të veproj pa i pasur nënshkrimet e kandidatëve”, tha Haxhiu.
