Zëri unik i Kosovës përballë një Hage politike

Zëri unik i Kosovës përballë një Hage politike

Në 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryefjalë e fjalimeve të krerëve shtetëror ishte lufta e pastër e UÇK-së në mbrojten e lirisë së vendit dhe padrejtësia në procesin gjykues së Hagës ndaj ish komandantëve të kësaj ushtrie, shkruan Gazeta Enigma.

Gjitha fjalimet e liderëve që kumbuan dje në Kuvendin e Kosovës në mbrojte të luftës së pastër të UÇK-së  u bënë më të fuqishme me marshin “Liria ka emër” ku mijëra pjesmarrës dolën me kërkesën e vetme, për drejtësi në gjykimin e ish krerëve të UÇK-së, Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit që po mbahen në paraburgim tash e sa vite.

Gjithë kjo jehonë po bëhet kur gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili duket se tashmë po shkon drejt fundit ka rikthyer në vëmendje jo vetëm plagët e së kaluarës, por edhe përplasjen mes narrativës së luftës çlirimtare dhe akuzave që po trajtohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, shkruan tutje Gazeta Enigma.

Ky proces, i ndjekur me vëmendje të lartë brenda dhe jashtëvendit, po shihet nga shumëkush si një test për drejtësinë ndërkombëtare, por edhe për vetë historinë e luftës së Kosovës.

E përballë drejtësisë në Hagë, sot nuk janë vetëm individ, por një kapitull i tërë historisë  së Kosovës.

Një gjykim që po trazon historinë, drejtësinë dhe politikën

Diplomati amerikan, William Walker, gjykimin në Hagë ndaj ish-krerëve e cilëson si shkelje të së drejtës.

Wallker potencoi se për ish-drejtuesit e UÇK-së nuk ka parëprova nëse ata kanë kryer krime pas bombardimeve.

“E shoh këtë proces që po ndodh në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë mbi 10 vite që të jetë një shkelje e së drejtës. Kështu që procesi në Hagë për mendimin tim është padrejtësia që rrjedhë nga një tentativë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe kush ka qenë përgjegjës për ato ngjarje. Këta zotërinj, këta ish-drejtues të UÇK-së janë akuzuar, janë akuza pra për kryerjen e krimeve tëluftës mbas bombardimeve dhe unë nuk kam parë prova për këtëgjë. Kam parë një proces shumë të gjatë nga ana ligjore, një gjyqqë ka ndodhur pra në Hagë 10 vite hetime, katër vite ndalim, paraburgimi i këtyre zotërinjve, Hashim Thaçi, zoti Krasniqi dhezoti Veseli dhe një apo dy të tjerë, janë ndaluar pa asnjë dënimqë për mua është thjesht e padëgjuar”, tha ai.

“Nuk kam dëgjuar kurrë njerëz që të akuzohen për një krim dhe të mos provohen fajtorë dhe të mbahen të ndaluar pa pasur akses te bota e jashtme përpothuajse katër vite. E shoh të gjithë këtë gjyq si një fjasko të madhe”, u shpreh Walker.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme.

Gjatë seancës solemne në Kuvend me rastin e Pavarësisë së Kosovës, të gjithë liderët shtetërorë theksuan mbështetje të palëkundshme ndaj ish-krerëve në Hagë.

Ndërkohë, që ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca sot ka shkuar në Hagë në përmbyllje të procesit të gjykimit të ish krerëve të UÇK-së u shpreh optimist se ata do të lirohen.

“Jam optimist se gjykata do e hedh poshtë si të pa bazë aktakuzënndaj ish krerëve të UÇK-së”, deklaroi Konjufca.

UÇK-ja sipas Konjufcës është bazamenti i shtetësisë së Kosovës.

Gjykatë politike?

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, potencoi se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka përmbajtje të thellë politike.

“Gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është juridik në formë, por me peshë të thellë politike në përmbajtje. Sepse këta persona nuk kanë qenë thjesht individë privatë – kanë qenë figura kyçe të një periudhe vendimtare të shtetndërtimit. Për këtë arsye, është e pamundur që procesi të trajtohet krejtësisht i shkëputur nga konteksti politik i Kosovës”, u shpreh Muhaxheri për Gazetën Enigma.

Sipas Muhaxherit, në seancën e Pavarësisë së Kosovës, është parë një mbështetje e madhe nga liderët politikë, si dhe vizita e Konjufcës në Hagë është sinjal që shpalos se institucionet e vendit nuk po distancohen.

“Dje në Kuvend u pa një mbështetje më e unifikuar nga liderët politikë. Edhe vizita e Glauk Konjufcës në Hagë është një sinjal politik se institucionet nuk po distancohen. Kjo është e rëndësishme. Sepse për vite me radhë është thënë se “po gjykohen individë”, ndërsa sot po pranohet, në mënyrë të tërthortë, se dimensioni është më i gjerë. Siç kam theksuar edhe më herët, këta njerëz janë të lidhur me proceset e shtetndërtimit si mishi me thonj — nuk mund të ndahen lehtë nga historia politike e vendit”, vazhdoi Muhaxheri për Enigmën.

Por, a ka mbështetje të mjaftueshme institucionale?

Muhaxheri thekson se në aspektin simbolik ka lëvizje por në aspektin strategjik dhe diplomatik Kosova nuk ka qasje të qartë.

“Në aspektin simbolik, po ka lëvizje. Por në aspektin strategjik dhe diplomatik, Kosova ende nuk ka një qasje të qartë, të koordinuar dhe afatgjatë për mënyrën si prezantohet ky proces në arenën ndërkombëtare. Mbështetja duhet të jetë institucionale, konsistente dhe e matur — jo e fragmentuar sipas momenteve politike të brendshme”, u shpreh Muhaxheri.

Si paraqitet ky proces tek syri ndërkombëtarë?

Muhaxheri thotë se në faqen e ndërkombëtarëve çdo veprim i liderëve po lexohet me kujdes.

“Sa i përket ndikimit ndërkombëtar, çdo veprim i liderëve kosovarë lexohet me kujdes. Nëse reagimi perceptohet si presion ndaj drejtësisë, dëmton kredibilitetin e shtetit. Por nëse artikulohet si mbrojtje e dinjitetit të luftës çlirimtare, duke respektuar procesin gjyqësor, atëherë është legjitime dhe e kuptueshme”, theksoi Muhaxheri për Enigmën.

“Në fund, sfida është balanca: të mbrohet narrativa e shtetndërtimit pa e cenuar parimin e drejtësisë. Dhe kjo kërkon maturi politike, jo vetëm deklarata emocionale”, përfundoi Muhaxheri.

Por, si vlerësohet nga njohësit e Drejtësisë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Avokati Ardian Bajraktari vlerëson se gjykimi në Hagë ka mungesë të transparencës.

“Proces në Dhomat e Specializuara në Hagë ka qenë i stërzgjatur dhe me jo pak shkelje, me mungesë të theksuar të transparencës, gjë e cila ka rezultuar me cenimin e njërit prej parimeve bazë të procedurës, parimin e publicitetit, me prova dhe dëshmi të siguruara nga regjimi gjenocidal serb, për dallim prej dëshmive dhe të provave të mbrojtjes, me dëshmitarë shumë kretibil dhe protagonist të ngjarjeve, që i bënë dëshmitarë okular, dëshmitë dhe deklarimet e tyre shkojnë jo vetëm në funksion të mbrojtjes, por para së gjithash në funksion të së vërtetës’, u shpreh Bajraktari për Enigmën.

Ndër të tjera, avokati thekson se në këtë proces, Prokuroria ka dështuar që t’i bëj të besueshme pretendimet që ka për ish-krerët e UÇK-së.

“Prokuroria ka dështuar për ta bërë t’i bërë të besueshme pretendimet e saj për katërshen e UÇK-së. Është detyrë e kësaj të fundit që të ofroj prova për ta bindur gjykatën në raport me pretendimet, dëshmitarët e sajë kanë qenë jo bindës, në jo pak raste kontradiktor, prandaj në bazë të asaj që kemi pa, kjo prokurori ka dështuar ti bëjë të besueshme pretendimet e saj”, vazhdoi Bajraktari.

Tutje, avokati potencon se qasja që institucionet e Kosovës kohëve të fundit kanë në raport me ish-krerët është në nivel por e vonuar.

“Institucionet nuk kanë vepruar në raport me peshën që ka pas dhe ka ky proces, ndonëse këto kohët e fundit ka një qasje më ndryshe e cila është për t’u përshëndet, ndonëse është tejet e vonuar. Le të mos harrojmë faktin se mbrojtja në jo pak raste është ballafaquar me vështirësi të shumta, përfshirë mungesën e fondeve të mjaftueshme për të pasur një mbrojtje sa më kualitative, nisur nga fakti se katërshja e UÇK-së nuk janë ballafaquar me këto akuza në kapacitete personale”, përfundoi Bajraktari për Enigmën.

Fjalimet e fuqishme të katërshes

Unik e të vendosur u shfaqën në fjalimet e tyre katërshja e UÇK-së që po mbahet në Hagë.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se ai nuk është ashtu siç është përshkruar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Hagës. Krasniqi ka potencuar se ato akuza madje nuk i shërbejnë asnjë drejtësie, e aq më pak asaj demokratike.

“Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta arrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve. Ajo duhet të qëndroj mbi prova të besueshme dhe të vërtetat. Padrejtësia e këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzën. Mua më atribuohen role, autoritet e përgjegjësi që nuk i kam pasur kurrë. Kjo nuk ishte çështje dallimi në interpretimin e fakteve, ishte shpifje”, tha ai.

Ai theksoi se “Figura e përshkruar në dokumentet e prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush. Jam mirënjohës ndaj atyre dëshmitarëve që erdhën këtu dhe patën guximin ta thonë të vërtetën për atë se kush isha dhe kush nuk isha. Ata nuk erdhën për të më mbrojtuar mua por t’i mbrojtur faktet, realitetin tonë historik të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Kurse ish-udhëheqësi i UÇK-së, Rexhep Selimi, deklaroicsehistoria e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi”.

Përballë masakrave të Serbisë, Selimi ka thënë se nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse të vetëmbroheshin.

“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? As njërën dhe as tjetrën. Duhej të rezistonim, prandaj besova që Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje. Kishte nevojë për një si Adem Jashari dhe si UÇK-ja, prandaj iu bashkova UÇK-së. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë. Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët kanë vdekur duke i siguruar ato. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”, u shpreh Selimi.

“Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Prandaj na mbështeti NATO-ja”, ka thënë ai mes tjerash.

Ish-kryeparalementari Kadri Veseli ka thënë se edhe në momentet më të errëta nuk e kishte humbur besimin që e drejta dhe liria do të triumfonte.

“Kam besuar që populli i Kosovës e kishte të drejtën për të jetuar në liri e dinjitet. Kurrë nuk kam besuar që dhuna, urrejtja e hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë e as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm të shtetit serb. Ky nuk është përshkrim abstrakt por realitet që ka prekur çdo anëtarë të familjes time por edhe çdo qytetar. Unë e di çfarë do të thotë të jesh i pambrojtur e të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm. Por në padrejtësi, njeriu duhet të ruaj integritetin moral dhe vlerat themelore humane. Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që tregon se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë krim i kryer nga ana ime”, ka thënë ai.

Kurse ai që foli i pari, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalës së tij është deklaruar se është plotësisht i pafajshëm.

“Për gati tri vjet në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.

Thaçi kujtoi se në fillim të vitit 1998 ishte student në Cyrih dhe, sipas tij, nuk kishte plane për marrjen e kontrollit në Kosovë.

“Duke parë masakrat në vendin tim, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të vij në Kosovë dhe të bëj atë që do të bënte secili prej jush. Për këtë jam krenar dhe nuk pendohem asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave, si dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”, ka thënë ai.

Sipas Thaçit, kundërshtari i vetëm i tij dhe i UÇK-së ishte regjimi i Millosheviqit.

“Këto akuza janë shumë të rënda. Gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan dhe djalin e porsalindur e lërë me të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht… Fakti që jemi gjallë ishte fat. U ktheva në atdhe për të rrezikuar jetën time për liri. Për çfarë kontrolli është fjala? Kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit”, u shpreh ai.

Thaçi ka thënë se Millosheviqi ishte arsyeja pse UÇK-ja u masivizua dhe jo ai.

“Kjo prokurori më ndau shumë grada, më lavdëroi. Nuk isha unë që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk isha unë arsyeja pse UÇK-ja po mobilizohej, por ishte Millosheviqi.  Albrighti e ka thënë më mirë, citoj: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i UÇK-së’. UÇK-ja nuk ishte ushtri e një shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor”, përfundoi Thaçi fjalimin para trupit gjykues.

Marshi i drejtësisë?

Ndër të tjera, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, platforma “Liria ka emër”, organizoi një protestë kundër gjykimeve në Hagë e në mbështetje të ish-krerëve të cilët po gjykohen padrejtësisht, me moton “Drejtësi, jo politikë”.

Në këtë protestë kanë qenë pjesëmarrës mijëra qytetarë nga tëgjitha trojet shqiptare dhe politikan pa dallim partie.

Ky marsh është përcjellur në kohë reale në Hagë nga vetëHashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në fund, sot më 18 shkurt do të thuhen fjalët përfundimtare tëish-krerëve të UÇK-së të cilët kanë qëndruar në paraburgim për më shumë se pesë vite./GazetaEnigma/

Related Articles