Tre shqiptarë në Austri grabitën një 74-vjeçare dhe hapën zjarr ndaj policisë, dy prej tyre nga Kosova

Tre shqiptarë në Austri grabitën një 74-vjeçare dhe hapën zjarr ndaj policisë, dy prej tyre nga Kosova

Tre shqiptarë po akuzohen se kanë grabitur një shtëpi në Austri dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri ndaj policisë gjatë arratisjes.

Sipas mediave austriake, ngjarja ka ndodhur më 5 shtator të vitit të kaluar, rreth orës 06:50 të mëngjesit, në Amstetten, në Austri. Tre burra të maskuar kanë hyrë me forcë në shtëpinë e një gruaje 74-vjeçare, të cilën e kanë kërcënuar me armë dhe me shufër hekuri, duke e detyruar të shtrihej përtokë dhe duke kërkuar para në dorë.

Sulmuesit kanë kontrolluar shtëpinë, duke marrë një shumë të vogël parash dhe një kartë krediti. Gjatë kohës që ndodheshin brenda, ata e kanë mbajtur me forcë viktimën dhe kanë tentuar ta lidhin me lidhëse kabllosh. Sulmi është ndërprerë pasi zilja e derës është shtypur aksidentalisht nga një postier, çka ka bërë që autorët të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. 74-vjeçarja nuk ka pësuar lëndime fizike, por raportohet se vuan ende nga pasoja psikologjike.

Policia ka nisur menjëherë një operacion kërkimi në shkallë të gjerë. Rreth orës 08:00, dy të dyshuar – një 58-vjeçar nga Kosova dhe një 55-vjeçar nga Shqipëria – janë parë në një fushë pranë vendit të ngjarjes. Me të vërejtur policinë, ata kanë tentuar të ikin në këmbë.

Gjatë ndjekjes, situata është përshkallëzuar: 58-vjeçari dyshohet se u ka zënë pritë efektivëve në një argjinaturë dhe ka qëlluar tri herë nga afër në drejtim të dy policëve. Njëri prej tyre është kundërpërgjigjur me zjarr. Nga shkëmbimi i të shtënave nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa të dy të dyshuarit janë arrestuar në vendngjarje.

Në vijim të hetimeve, policia ka gjetur automjetin e dyshuar të arratisjes të fshehur në një zonë të pyllëzuar. Sipas autoriteteve, grupi dyshohet se është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera të kryera mes 24 korrikut dhe 28 gushtit 2025 në rrethet Melk dhe Amstetten, ku vlera e sendeve të vjedhura arrin rreth 125 mijë euro.

Një i dyshuar i tretë, 49-vjeçar nga Kosova, është arrestuar më 8 shtator 2025 në Aschbach, në rrethin e Amstetten. Atij i janë sekuestruar këpucë të vjedhura gjatë grabitjes dhe një shumë e konsiderueshme parash. Në banesën e grupit janë gjetur edhe mallra të tjera të dyshuara si të vjedhura.

Sipas hetuesve, 49-vjeçari ka pranuar plotësisht grabitjen dhe pjesërisht vjedhjet e tjera, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë kanë refuzuar të japin deklaratë. Mediat austriake raportojnë se dy prej tyre kanë precedentë penalë edhe në Zvicër.

Të tre personat janë lënë në paraburgim në Qendrën Korrektuese të St. Pölten, me urdhër të Prokurorisë Publike të St. Pölten.

Related Articles