Klubi më i madh i basketbollit në Kosovë, KB Prishtina, ka mohuar çdo raportim se do të shuhet si klub, për shkak të borxheve. Drejtori i përgjithshëm, Luan Maloku, në një konferencë për media, ka treguar për borxhet që i ka klubi, por ka thënë se për sivjet gjendja është e menaxhueshme deri në fund të sezonit.
Ai ka akuzuar ish-kryesinë për borxhet e lëna.
Maloku në konferencë ka thënë se me të marrë postin, në llogaritë e klubit kanë hasur “shumë keqpërdorime”.
“Nëse derdhen 700 mijë euro në nëntor dhe dhjetor e në janar nuk ka asnjë cent – kjo është keqmenaxhim dhe keqpërdorim. U takon organeve të rendit të merren me këtë. Është jo normale të avullohen 700 mijë euro”, ka thënë ai fillimisht.
Maloku ka thënë se klubi ka obligime ndaj Administratës Tatimore, Federatës së Basketbollit, Ligës ENBL, Pallatit të Rinisë e se ka edhe dy lëndë që po negociohen në Tribunalin Ndërkombëtar të Basketbollit. Ai ka thënë se borxhe kanë edhe ndaj aviokompanive. Maloku ka thënë se ka vonesa edhe në paga.
“Megjithatë, këto nuk na ndalin të ecim përpara”, ka thënë më pas ai duke mohuar çdo raportim. “Klubi nuk po shuhet. Vetëm përpara do të ecim”.
Në këtë konferencë, kapiteni Arbër Sinani ka thënë se pavarësisht sfidave, basketbollistët do të bëjnë çmos për të arritur rezultate.
“Garantojmë se nuk do të dorëzohemi”, ka thënë kapiteni Sinani, teksa u ka bërë thirrje tifozëve për mbështetje.
Aktualisht ushtrues detyre i kryetarit të Prishtinës është Rinor Grejqevci, kryetar i tifozëve “Plisat”. Ai mori detyrën, pas largimit të Bekë Berishës që u prit me kritika në fillim të vitit. Para tij, kryetar ishte Ferit Zekolli që e pati marrë detyrën gjatë verës./koha.net
