Sërish zgjedhje? – Takimi i Kurtit me Abdixhikun nuk sjell shpresë, VV ende pa kandidat

Sërish zgjedhje? – Takimi i Kurtit me Abdixhikun nuk sjell shpresë, VV ende pa kandidat

Po ndodh ajo që nuk pritej. Vendi duket se sërish është në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Kësaj radhe ato mund të quhen edhe të “para-parakohshme”, shkruan Gazeta Enigma.

Teksa kanë mbetur edhe dy ditë deri te afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, publiku është në “terr informativ”. Nuk ka kandidatë zyrtarë për president, nuk ka emër konsensual, e s’ka as marrëveshje apo dakordim mes partive më të mëdha.

Takimi i sotëm i kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka qenë frytdhënës.

Abdixhiku, pas takimit me Kurtin, tha se “gjasat janë të mëdha” që vendi të shkojë në zgjedhje, pasi Kurti nuk ia ka përmendur asnjë kandidat për president.

“E shoh të vështirë konsensusin. Nuk ka ndonjë emër që na është prezantuar, e as nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë nuk mund të caktojë emër e as të nominojë dikë”, tha Abdixhiku para mediave.

Sa i përket kandidaturës së Vjosa Osmanit për mandatin e dytë, Abdixhiku tha se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt.

“Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani”, deklaroi Abdixhiku.

“Mundësi reale që vendi të shkojë sërish në zgjedhje”

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, thotë për Gazetën Enigma se, siç duket, sot ka qenë takimi i fundit i Kurtit me dy krerët e subjekteve më të mëdha politike në opozitë, Lumir Abdixhikun dhe Bedri Hamzën.

“Tani presim që të qartësohet situata, nëse do të ketë ndonjë lëvizje që na dërgon në Kuvend me një marrëveshje apo jo. Deri më tani, situata nuk është aspak e favorshme”, tha Drenori.

Përkundër faktit se Abdixhiku nuk shprehu kundërshti ndaj Vjosa Osmanit, Drenori thotë se LDK-ja nuk do të mund t’ia siguronte kuorumin Osmanit, pasi sipas tij, të paktën dy deputetë nga radhët e LDK-së nuk do të qëndronin në sallë për Osmanin.

“Brenda LDK-së janë të paktën dy deputetë që nuk do ta votonin Vjosa Osmanin dhe me këtë nuk do të arrihej numri i 80 deputetëve që duhet të qëndrojnë në sallën e Kuvendit”, deklaroi Drenori.

“Situata është e paqartë. Unë personalisht shoh shumë mundësi reale që vendi, fatkeqësisht, të shkojë sërish në zgjedhje”, tha në fund Drenori në deklarimin për “Enigmën”.

Nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, këto do të ishin zgjedhjet e dyta të parakohshme brenda pak muajsh.

Të parakohshme ishin edhe zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, pasi qeveria nuk arriti të formohej nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

“Kurti do zgjedhje ose bllokadë të re”

Analisti tjetër politik, Arton Muhaxheri, thotë se Kurti vazhdon vetëm formalisht t’i takojë partitë opozitare për çështjen e presidentit, “sepse e ka të qartë skenarin e tij se ku do ta çojë Kosovën – drejt zgjedhjeve ose drejt një bllokade të re”.

Në një prononcim për Gazetën Enigma, Muhaxheri thotë se partitë opozitare po i krijojnë hapësirë Kurtit përmes takimeve me të “që të manipulojë opinionin publik, duke u paraqitur si palë për zgjidhje, ndërsa opozitën ta etiketojë si bllokuese”.

“Kanë mbetur edhe pak ditë dhe nuk po shihet një zgjidhje reale e problemit. Në lojë mbesin vetëm dy situata: zgjedhje të reja ose një bllokadë e re për çështjen e presidentit”, deklaroi Muhaxheri.

PDK e do për president një kandidat të propozuar nga vetë ata

Edhe takimet e Kurtit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, nuk sollën pajtueshmëri.

Pas dy takimeve, Hamza kërkoi që presidenti i ri i Republikës së Kosovës të jetë një emër i propozuar nga vetë PDK-ja.

Kjo, sigurisht, u kundërshtua nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndryshe, PDK është kundër Vjosa Osmanit për presidente, pasi e akuzon për anshmëri partiake gjatë mandatit të saj pesëvjeçar.

Kush tjetër u përmend për president?

Prej ditësh është përfolur mundësia që në krye të shtetit të jetë ndonjë pjesëtar i familjes së heroit Adem Jashari, përfshirë edhe nga vetë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

Megjithatë, anëtarë të kësaj familjeje e kanë bërë të qartë për media se nuk kanë ambicie për këtë pozitë.

Për dallim prej tyre, ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për t’u bërë president.

Po ashtu, gatishmëri ka shprehur javë më parë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, mirëpo partitë e tjera nuk i kanë dhënë mbështetje.

Si propozohet kandidati për president dhe si shkon votimi?

Për të propozuar një kandidat për president duhet të sigurohen 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja e vetme i ka 57 të tillë. Të gjitha partitë e tjera kanë më pak se 30 deputetë.

Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, nga gjithsej 120 deputetë.

Pozita e presidentit në Kosovë është kryesisht ceremoniale – për shkak se vendi është republikë parlamentare – dhe nga një president kërkohet të jetë figurë unifikuese mes partive politike./Gazeta Enigma

Related Articles