Njësiti për Reagim të Shpejtë i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan ka sekuestruar një armë zjarri gjatë një kontrolli rutinë në aksin rrugor Gjilan–Prishtinë.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 2 mars 2026, rreth orës 19:20, kur zyrtarët policorë, të vendosur në pikë kontrolli të automjeteve, kanë ndalur për verifikim një veturë me targa vendore.
Gjatë kontrollit, në automjet është gjetur një armë të cilën vozitësi e posedonte pa leje.
Policia ka bërë të ditur se është sekuestruar një pistoletë e llojit Zoraki M 906-T, me një karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 7.65 milimetra, të cilat janë konfiskuar si dëshmi materiale për procedurat gjyqësore.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në përputhje me procedurat ligjore.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
