Nagavci: Presim anulimin e shpërndarjes së Kuvendit

Nagavci: Presim anulimin e shpërndarjes së Kuvendit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes një reagimi në Facebook, Nagavci tha se beson që kërkesa e paraqitur nga deputetët e kësaj partie është e drejtë dhe e mbështetur në argumente kushtetuese, ndërsa pret një trajtim profesional nga Gjykata.

Ajo theksoi se në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese është kërkuar që të anulohet dekreti i presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit.

“Presim që Gjykata të nxjerrë aktgjykim me të cilin të anulojë Dekretin nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, një tjetër kërkesë është që Gjykata të urdhërojë deputetët e Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit.

Nagavci vlerësoi se vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend.

Related Articles