Edhe pse vendi ende është në pritje të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, i propozuar nga presidentja Vjosa Osmani ka hapur mundësinë që vendi të përballet sërish me zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan Gazeta “Enigma”. Një përqarje e re në politikën kosovare ku protagonistë janë kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, po merr formë çdo ditë e më shumë.
Këndvështrimet e kundërta politike të Kurtit dhe Osmanit që u shpërfaqën së fundmi kanë përçarë raportin e tyre, që sipas analistit Arton Muhaxheri nuk është një “surprizë e madhe”, duke pasur parasysh se edhe bashkimi i tyre ka qenë për të njëjtën arsye.
Muhaxheri tha për “Enigmën” se në politikë marrëdhënie të tilla kur interesat ndryshojnë nuk janë afatgjata.
“Nëse Osmani vendos të përfshihet në garë, mendoj se do të ishte oponentja kryesore e z. Kurti”
“Përçarja mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani nuk është ndonjë surprizë e madhe. Në thelb, të dy kanë qenë bashkë për interes politik dhe sot duket se janë ndarë po për interes politik”, deklaroi ai.
Muhaxheri tutje ka theksuar se “aleanca e tyre u ndërtua në një moment kur përputheshin objektivat dhe kalkulimet politike, por në politikë marrëdhënie të tilla rrallëherë janë afatgjata kur interesat fillojnë të ndryshojnë. Tani që prioritetet dhe pozicionet e tyre nuk janë më të njëjta, është e natyrshme që kjo të reflektohet edhe në raportet publike mes tyre”.
Osmani pa një strukturë partiake do ta ketë shumë të vështirë theksoi Muhaxheri.
“Nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të reja, mbetet për t’u parë nëse Osmani do të zgjidhte të përfshihej drejtpërdrejt në garë politike. Nëse ajo vendos të përfshihet në garë, mendoj se do të ishte oponentja kryesore e z. Kurti. Megjithatë, ajo do të duhej t’i bashkohej një subjekti politik, sepse pa një strukturë partiake do ta ketë shumë të vështirë”, deklaroi Muhaxheri për Gazetën “Enigma”.
Hoxhaj: Kurti dhe Osmani kanë luajtur bixhoz me shtetin
Ish-ministri i jashtëm dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kritikuar ashpër përplasjet politike mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe ish-kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se konflikti i tyre nuk është në të mirë të vendit, por dëshmi e mënyrës si kanë qeverisur.
Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj tha se në Kosovë po përsëritet një logjikë e vjetër politike sipas së cilës “armiku i armikut tim është miku im”.
“Armiku i armikut tim është miku im. Kështu mendonin romakët, kështu mendojnë edhe sot disa në Kosovë, se armiqësia politike në mes të ish-presidentes dhe ish-kryeministrit është në favor të opozitës”, u shpreh Hoxhaj.
Ai shtoi se dy liderët politikë kishin ardhur në pushtet si një “koalicion i shpresës”, por sipas tij, qeverisja e tyre ka prodhuar të kundërtën. “Këta të dy që rrejshëm erdhën në pushtet si një koalicion i shpresës, u treguan se janë boshti i së keqes”, tha Hoxhaj.
Sipas tij, përplasjet e fundit mes tyre kanë qenë të mbushura me akuza të ndërsjella për mënyrën si janë trajtuar interesat e shtetit.
“Njëra godiste tjetrin që po luan bixhoz me interesat e Kosovës. Në fakt, që të dy kanë luajtur bixhoz me shtetin, demokracinë, shoqërinë dhe mediat në Kosovë”, deklaroi ai.
“Që të dy kanë goditë opozitën, duke ia pamundësuar asaj vitin e kaluar që ta ushtrojë të drejtën për të pasur një kandidat për kryeministër apo duke caktuar një datë të pafavorshme për zgjedhje”, tha Hoxhaj.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit – Osmani deklaroi se këtë datë e caktoi pasi i konvenonte LVV
Vjosa Osmani në intervistën e fundit për Syri.tv ka adresuar akuzat për “puç” ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke pyetur se si mund të konsiderohet puç, kur vetë ajo caktoi 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, një datë që i konvenonte Lëvizjes Vetëvendosje.
“A i paskam organizuar puç duke ia dhënë datës 28 dhjetor, duke ia hequr masat Kosovës, duke sjellë njohje të reja, duke vizituar komunat që udhëhiqen nga LVV”, tha Osmani.
“Shokuese të dëgjoj se Osmani ka shpallur ditën e zgjedhjeve 28 dhjetori në sinkronizim me Qeverinë”
Pas kësaj deklarate të Osmanit ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka thënë se është “shokuese” të dëgjojë këtë rrëfim nga presidentja.
“Për mua është bukur shokuese të dëgjoj se Presidentja Vjosa Osmani kishte vepruar në sinkronizim të plotë kundër opozitës, duke i shërbyer kauzës elektorale të Albin Kurtit. Vendimi për datën e zgjedhjeve, 28 dhjetor 2025, ishte pikërisht data e kërkuar nga Kurti, ndonëse kundërshtohej nga partitë opozitare.
Bajqinovci reagon pas deklaratave të Osmanit
Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka reaguar sot pas deklarimeve të fundit të Presidentes, Vjosa Osmani.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka se një ‘’kllapë e hibrdave’’ po bëhen bashkë për t’i dalë kundër Kurtit
Duke mos e përmendur drejtpërdrejt Osmanin, ai shkroi se “A e keni pa kllapën e hibridave qysh janë në gjendje me u bashku edhe me dikë që s’kanë lënë gjë pa thënë për të veç pse i duket moment adekuat me dalë kundër Albinit!?”.
Krejt çka tha Osmani për raportin me Kurtin?
Presidentja Vjosa Osmani, në intervistën e fundit tha se Albin Kurti është zotuar “që ne do vazhdojmë bashkë si ky binomi që i dha shpresë Kosovës, duke e vlerësuar punën time deri në superlativ, duke thënë ‘je presidentja më e mirë e shekullit 21”.
Osmani tha se edhe para edhe pas zgjedhjeve i ka pas këto vlerësime Kurti për të.
“Ka qenë vetë zotimi i kryeministrit Kurti që do më përkrahte në një kauzë të tillë e cila është në interes të Kosovës, duke e kualifikuar vetë që bashkimi ynë si binom është diçka për të cilën Republika jonë ka nevojë akoma…Po flas për diskutimet tona”, vijoi ajo.
“14 shkurt 2021 ne morëm mbi 400 mijë vota bashkë dhe atëherë Kurti u zgjodh kryeministër dhe me votat e përbashkëta që i morëm unë u zgjodha presidente dhe udhëhoqëm këtë vend së bashku…”, tha tutje Osmani.
“Sigurova votat nga opozita për t’u rizgjedhur, Kurti më pas më kërkonte 85 vota”
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar që të angazhohet në bisedime me deputetë të opozitës, në mënyrë që të rrinin në sallë, për rizgjedhjen e saj.
Osmani tha se kur u garantua nga disa deputetë të opozitës se do rrinin në sallë për t’u bërë 80 vota, Kurti më pas i kërkoi që të siguronte 85 vota, diçka që nuk ishte e nevojshme.
“Kur u pa se mund të zgjidhesha, Kurti nuk e përkrahi kandidaturën time”
Osmani tutje ka theksuar se kandidatura e saj për presidente nuk mori mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti dhe të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes pikërisht në momentin kur, sipas saj, u bë e qartë se ekzistonin shanse reale për zgjedhjen e saj.
“Ka parti tjera që asnjëherë nuk kanë deklaruar publikisht që asnjëherë nuk do të marrin pjesë në rast se propozohet emri im. Kur u qartësua që në fakt ka shansa që unë të zgjidhem, nga Kryeministri Kurti më erdhi një vlerësim krejtësisht i ri – që ishte se ai dhe grupi parlamentar i VV-së nuk e përkrahin kandidaturën time”, është shprehur Osmani.
“Mjaft më me propagandë, o hibrida“
Pas shpërfaqjes së dallimeve politike midis Kurtit e Osmanit, kjo e fundit po përballet me një fushatë të egër propaganduese. Në mesin e kritikave ndaj saj, pati edhe thirrjë “për pushkatim”. Për këtë Osmani tha se po merren organet e rendit dhe ligjit.
Ndërkohë sot Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Egnesa Vitia, ka reaguar pas disa lajmeve ku thuhet se kinse “Vuçiq shokon me deklaratë pozitive për Osmanin”.
Përme një postimi në “Facebook” ajo tha se përkundrazi ka ndodhur e kundërta ku Vuçiq është ankuar se Trump i ka dhënë hapësirë presidentes Osmani në Bordin e Paqes.
“Vuçiçi nuk ka thënë asnjë fjalë pozitive për Presidenten. Përkundrazi, në intervistën e djeshme u ankua pse Presidenti Trump i ka dhënë hapësirë Presidentes Osmani në Bordin e Paqes. Ai tha: “Këtë nuk e kemi pritur nga Presidenti Trump””, tha ajo.
“Prandaj mos shpifni – ai foli kundër Presidentes, jo pro saj”, deklaroi Vitia.
Kushtetuesja vendos masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur të hënën e 9 marsit masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
“Gjykata vlerëson se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve të lartcekura është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në vendimin e Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme.
Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars. /GAZETA ENIGMA/
