Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës të hënën e 9 marsit i vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Kësaj mase iu gëzua Lëvizja Vetëvendosje, e cila ishte vetë ajo që e bëri këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.
LVV këmbëngul se dekreti i Osmanit ishte jokushtetues dhe se deputetët duhet të kenë edhe 60 ditë kohë për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Por se a do pajtohet Gjykata Kushtetuese me Lëvizjen Vetëvendosje, apo do të miratohet dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, mbetet të shihet deri në fund të këtij muaji.
Eksperti i ligjeve: Kushtetuesja do duhej ta lejojë afatin 60-ditor që të rrjedhë
Njohësi i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, thotë për Gazetën Enigma se beson se Gjykata Kushtetuese do t’i japë kohë Parlamentit 60 ditë për gjetjen e emrit konsensual për President, pasi sipas tij, kështu mbrohet rendi juridik dhe kushtetues i shtetit.
Nrecaj mori shembull aktgjykimin për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit, për të cilin tha se edhe pse ishte jokushtetues, Gjykata e lejoi për shkak të funksionimit të institucionit.
“Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka aluduar në pjesën e mbrojtjes së rendit juridik dhe kushtetues, si dhe funksionimin e institucioneve të shtetit. Nëse i referohemi praktikave të mëhershme, siç e kemi atë të deputetit Nenad Rashiq, për të cilin tha se është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, por që ka thënë se për shkak të funksionimit të institucioneve, Rashiq mund ta vazhdojë punën si nënkryetar i Kuvendit”, tha Nrecaj.
“Mbi bazën e kësaj, po besoj që Gjykata Kushtetuese do t’i vlerësojë të gjitha rrethanat faktike dhe juridike dhe, bazuar në mandatin që e ka në mbrojtje dhe sigurimin e rendit juridik dhe kushtetues, do të veprojë mbi bazën e këtyre parimeve. Natyrisht se do të analizohen të gjitha mundësitë, që në funksion të qëndrueshmërisë dhe funksionimit të të gjitha institucioneve, po besoj se do t’i japë kohë Kuvendit, bazuar në nenin 82, që brenda 60 ditëve të gjejnë zgjidhje për t’u zgjedhur Presidenti i vendit. Në rast se nuk zgjidhet Presidenti në afatin 60-ditësh, atëherë automatikisht shpërndahet Kuvendi”, deklaroi tutje eksperti i ligjeve.
Sa i përket Nenit 86 të Kushtetutës, i cili thotë se zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, Nrecaj thotë se edhe ky nen luan rol, por se “nuk thotë se Presidenti duhet që menjëherë ta shpërndajë Kuvendin”.
“Kjo është çështja diskutabile, mbi bazën e së cilës mendoj se Presidentja ka bërë një veprim të ngutshëm. Para shpërndarjes së Kuvendit, Osmani do të duhej që të mblidhte partitë politike në konsultime, për të diskutuar mundësitë e evitimit të zgjedhjeve dhe arritjen e një konsensusi politik. Për shkak se vetë mandati i Presidentes është unifikues dhe gardian i zbatimit të Kushtetutës dhe funksionimit të institucioneve të vendit”, deklaroi në fund Nrecaj.
“Varet nga pikëpamja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se aktgjykimi përfundimtar varet nga pikëpamja dhe qëndrimi kolektiv i anëtarëve që do të jenë pjesë e vendimmarrjes.
“Ka interpretime të ndryshme dhe e gjithë kjo varet nga pikëpamja që mund të kenë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Me rëndësi është që është marrë masa e përkohshme, pasi tani gjyqtarët e kanë mundësinë që ta analizojnë çështjen më detajisht”, tha Baraliu për “Enigmën”.
“Shpërndarja e Kuvendit, veprim i gabuar”
Baraliu thotë se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit ishte veprim “i gabuar dhe i pamatur”.
“Presidentja Osmani është bazuar në nenin 85 të paragrafit 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili thotë se zgjedhja e Presidentit të ri do të duhej të bëhej më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Kjo dispozitë nuk është e definuar dhe semantikisht nuk është e plotë, nuk është taksative dhe nuk është e qartë sepse nuk thotë se çfarë pasojash prodhon moszgjedhja e Presidentit të ri në një afat prej 30 ditësh”, tha Baraliu.
“Është një Kushtetutë që ka përsëritje dhe ka dualizma në dispozitat e saj dhe thotë kur dhe kush mund ta shpërndajë Kuvendin. Kushtetuta thotë që ‘Kuvendi shpërndahet nëse brenda 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit, Presidenti i ri i Republikës nuk zgjidhet’. Pikërisht kështu ka ndodhur në seancën e fundit, e cila është ndërprerë në pamundësi të vazhdohet sipas Kushtetutës dhe rregullores së punës së Kuvendit”, deklaroi tutje profesori universitar.
“Presidentja e vendit ka bërë një ndërhyrje që edhe mund të interpretohet nga disa si një grusht shteti në thonjëza, sepse ka ndërprerë një procedurë që është legjitime, është taksative në Kushtetutë dhe do duhej procedura për zgjedhjen e Presidentit të vazhdonte edhe 58 ditë të tjera, ndërkohë që ajo ka shpërndarë Parlamentin dhe tani ka pamundësuar rrjedhjen e tij pas 23 ditësh dhe funksionalizimin me shumë punë dhe detyra që Parlamenti i Kosovës ka pasur në rend pune, në rend dite, pra siç janë për shembull disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë qindra milionëshe. Mendoj që është e qartë, është e shkruar, madje nuk ka nevojë për asnjë interpretim që në Kushtetutë që thjesht ky veprim i Presidentes me këtë dekret është i ngutshëm dhe do të thosha me pasoja të pariparueshme”, shtoi në fund Baraliu.
Çka pas aktgjykimit?
Pas shpalljes së aktgjykimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, pritet që vendi ose të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve, në mbështetje të dekretit nga presidentja Osmani, ose Kuvendit do t’i jepet afat 60 ditë që të bëjnë përpjekje për emërimin e Presidentit të ri.
Nëse jepet një afat prej 60 ditësh, kjo do të thotë se pas 5 prillit rolin e të parës së vendit do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
