Partia “GUXO”, në themel të saj e ka guximin. Dhe duket se përmes guximit, disa anëtarë të saj veçse kanë filluar të largohen nga kjo parti. Dhe krejt kjo, shkaku i prishjeve të raporteve mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, me këtë të fundit që është themeltare e partisë “GUXO”, shkruan Gazeta Enigma.
Raportet mes Kurtit dhe Osmanit u prishën pasi kryetari i LVV-së refuzoi që ta mbështesë të parën e shtetit për një mandat të dytë në këtë pozitë.
Mosgjetja e një emri konsensual për President dhe mosmbështetja ndaj Osmanit bëri që kjo e fundit të shpallë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, çka thelloi edhe më tepër kritikat mes Kryeministrisë dhe Presidencës.
E në mes të këtyre zjarreve gjendet partia GUXO, e cila është themeluar nga Osmani, por tash, nën drejtimin e Donika Gërvallës, është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në mesin e gjithë kësaj “rrëmuje”, Gërvalla nuk ka shprehur mbështetje për Osmanin, por përkundrazi ka kritikuar atë për shpërndarjen e Kuvendit.
Megjithatë, i pari që “guxoi” ishte deputeti Haxhi Avdyli, i cili njihet për simpatinë e tij të palëkundur ndaj presidentes Osmani.
Avdyli dha dorëheqje nga GUXO, në shenjë proteste dhe për të mos u identifikuar me atë që e quajti “një fushatë të ulët kundër presidentes Osmani”.
“Uroj dhe shpresoj që, për hir të Kosovës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë, kjo dorëheqje e imja, si deputet në 5 mandate, 3 mandate nga lista me VV, të ju shërbejë sadopak që të mendoni me kokë të ftohur, që të jetë apel nga një deputet që ka dhënë shumë për këtë 50% e 51%, që ta ndërroni strategjinë denigruese, ta ndalni gjuhën e urrejtjes dhe dhunës”, ka thënë Avdyli.
Nuk vonoi shumë dhe u njoftua edhe për një dorëheqje të dytë.
Anëtari i Kryesisë Qendrore të partisë, Kujtim Hajdaj, njoftoi se ka vendosur të pezullojë për një kohë të pacaktuar aktivitetin e tij politik brenda GUXO-s.
Edhe Hajdaj nuk e fshehu arsyen. Ai tha se vendimi lidhet edhe me mbështetjen që ai i ka dhënë publikisht presidentes Vjosa Osmani, si dhe me disa rrethana të tjera që, sipas tij, janë krijuar në raport me udhëheqjen e partisë.
“Duke qenë se unë kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmani për Presidente, dhe duke u bazuar në disa rrethana të tjera që m’u janë krijuar në raport me udhëheqjen e Partisë GUXO, që nuk dua t’i komentoj këtu, kam marrë vendim – për një kohë të pacaktuar – që të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO, si anëtar i Kryesisë Qendrore dhe si koordinator i saj jashtë Kosovës”, njoftoi Hajdaj.
E vula e “përçarjes” brenda GUXO-s ndodhi sot.
Sot, e gjithë anëtarësia e degës së Listës GUXO në Deçan, bashkë me kryetaren dhe kryesinë, kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetarja e deritanishme e kësaj dege, Rabije Haklaj, duke thënë se moskandidimi i Vjosa Osmanit si presidente është një nga arsyet e dorëheqjes, por jo vetëm.
“Por, ajo që ndodhi këto ditë, neve si Degë e Partisë GUXO në Deçan, jo vetëm na indinjoi, por edhe na zhgënjeu pa masë, ishte një tradhti e pastër nga partneri i koalicionit, i cili, ndonëse e shihte vullnetin masiv të qytetarëve falë punës së jashtëzakonshme të Presidentes Dr. Vjosa Osmani në përfaqësimin aq dinjitoz të qytetarëve dhe të Republikës sonë, veproi në mënyrë të papranueshme“, thuhet në postimin e saj.
Ndërkohë, edhe nënkryetari i GUXO-s, Burim Meta, tha se “po e pret Vjosa Osmanin për të lëvizur”.
Ai tha se zgjidhja e duhur do të ishte që t’i bashkoheshin LDK-së, duke u larguar nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci, për të cilët thotë se “kanë devijuar nga kauza”.
“Ka qenë gabim i madh. Gabim i madh. Fillimisht i është premtuar që Vjosa do të jetë e vetmja kandidate edhe e propozuar, por edhe që mbështetet nga Vetëvendosja, më pastaj gjatë rrugëtimit ndryshuan mendim dhe gabuan dhe tashmë natyrisht që akti i vetëm i ardhshëm që e pret skenën politike janë zgjedhjet e tjera që do të mbahen, natyrisht, pas vendimit që do ta marrë Gjykata Kushtetuese”, tha Meta.
“Zonja Gërvalla dhe zoti Peci janë dy personat të cilët janë më së paku autoritativë në partinë GUXO. Ata vetëm i mbajnë ato pozita të kryetarëve, por e tërë struktura, e tërë anëtarësia e GUXO-s nuk përkon me veprimet e këtyre dy personave. Kështu që, GUXO natyrisht do të duhej të kishte krejt tjetër dinamikë ideologjike sesa atë që e kanë propaganduar ata”, deklaroi tutje ai.
“Dorëheqjet nuk do të ndalen me kaq”
Njohësi i çështjeve politike, Valdet Hoxha, thotë për Gazetën Enigma se këto dorëheqje janë shumë domethënëse dhe se nuk do të ndalen me kaq.
Hoxha thotë se të dorëhequrit e GUXO-s, bashkë me Vjosa Osmanin, duhet të kthehen në LDK.
“Të gjitha strukturat që ekzistojnë dhe votuesit e Listës GUXO do të kthehen dhe duhet të kthehen në shtratin e natyrshëm të tyre, pra në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Po besoj se për këtë nuk do të ketë pengesa. Natyrshëm se do të duhet të vendosin organet e partisë. Por i gjithë perceptimi dhe zhvillimet tregojnë se do të ketë një rikthim të tyre në LDK, pse jo duke prirë Vjosa Osmani dhe duke u kthyer në partinë e Ibrahim Rugovës, ku edhe ajo ka dhënë kontribute të çmueshme, deri në kohën kur është larguar”, tha Hoxha.
I njëjti thotë se me rikthimin e Osmanit në LDK, automatikisht do të ktheheshin edhe personalitete të tjera, në mesin e tyre anëtarë të ish-partive LDD, AKR e Listës “Ibrahim Rugova”.
“Kthimi i Osmani në LDK do përcaktojë fituesin e zgjedhjeve”
Valdet Hoxha tutje për “Enigmën” thotë se kthimi i Osmanit në LDK dhe i personaliteteve të tjera me rëndësi “do ta përcaktonte paraprakisht fituesin e zgjedhjeve të ardhshme”.
“Prandaj po mendohet një rikthim më i fuqishëm, një strukturë më e gjerë, që të krijohet një bllok serioz, pretendent për të fituar zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen ato. Është një momentum interesant dhe do të varet nga vullneti i Osmanit për t’u rikthyer në LDK. Prandaj, besoj se kjo do ta përcaktonte paraprakisht fituesin e zgjedhjeve të ardhshme”, deklaroi Hoxha.
“Heshtja e Gërvallës dhe Pecit, e papranueshme dhe e pandershme”
Pas shpërndarjes së Kuvendit është vërejtur një fushatë e egër linçuese dhe propaganduese ndaj Vjosa Osmanit.
Megjithatë, për këtë fushatë, e cila po udhëhiqet nga aktivistë të LVV-së, nuk kanë reaguar fare Donika Gërvalla dhe Faton Peci, të cilët bashkë me Osmanin formuan partinë “GUXO”.
“Gërvalla dhe Peci janë ngritur mbi hijen e Vjosa Osmanit. Heshtja e tyre, përveç që është e pakuptueshme, është edhe e pandershme dhe e papranueshme politikisht. Prandaj edhe kanë filluar dorëheqjet nga kjo parti, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, dhe pastaj mund të mbesin disa individë, që me siguri do të ngelen brenda strukturave të VV-së”, tha në fund Hoxha.
Kur pritet t’i bashkohet Osmani LDK-së?
Presidentja Osmani nuk ka mohuar e as pohuar rikthimin në LDK. Megjithatë, shenja për këtë lëvizje ka.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se bashkimi me Osmanin do të ishte i dobishëm për vendin.
Megjithatë, ka shtuar se bisedimet për këtë do të bëhen tek pasi asaj t’i përfundojë mandati, më 4 prill.
Abdixhiku theksoi se do të nisë një bashkim të madh politik dhe qytetar rreth një projekti të përbashkët, “një projekt që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet personale dhe hidhërimet e së kaluarës”.
Andaj, nëse Osmani do t’i kthehet LDK-së, mbetet të shihet pasi t’i skadojë afati si presidente, pas 4 prillit. /GAZETA ENIGMA/
