Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizime shtesë për hetim me qëllim të identifikimit të përgjegjësive eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve shtesë lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës 5 vjeçar në komunën e Lipjanit. Qëllimi i këtij autorizimi lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve tjerë kompetent të kësaj komune, që kanë pasur kontribut direkt apo indirekt në shkaktimin e pasojave në këtë çështje konkrete”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Prokurori i shtetit, me përkushtim të lartë kujdeset për të ndjekur kryerësit e mundshëm e veprave penale dhe për të zbardhur kryerjen e këtyre veprave, e me theks të veçantë në rastet kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e fëmijëve, si një kategori e ndjeshme e shoqërisë”, përmbyllet njoftimi.
