Aksion i antidrogës në Prishtinë – Arrestohen pesë persona, sekuestrohen drogë, para e vetura

Aksion i antidrogës në Prishtinë – Arrestohen pesë persona, sekuestrohen drogë, para e vetura

Policia e Kosovës të enjten ka zhvilluar një operacion antidrogë të quajtur “Delivery”, ku janë arrestuar pesë persona, raporton Gazeta Enigma.

Sipas autoriteteve operacioni u realizua pas hetimeve disa javore, ndërsa dy të dyshuarit kryesorë u ndaluan pas një ndjekjeje policore që nisi në Veternik dhe përfundoi në hyrje të Vushtrrisë. Gjatë aksionit u sekuestruan mbi 3 kilogramë marihuanë, sasi e vogël kokaine, para të gatshme, telefona dhe vetura.

Në bastisjet në katër lokacione në Prishtinë, policia zbuloi edhe një hapësirë të përshtatur si “call center”, ku u konfiskuan laptopë dhe u përfshinë njësitë për krime kibernetike.

Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë kompetente.

Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar:

• Dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë totale prej 2,221 gramësh;
• Një cigare e mbushur me marihuanë me peshë 1.5 gram;

Po ashtu, policia thekson se gjatë rrugës së ikjes, në fshatin Raskovë, është gjetur një paketim tjetër me marihuanë me peshë 1,117.5 gram, i cili dyshohet se është hedhur nga të dyshuarit gjatë ndjekjes.

Në koordinim me Prokurorin Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar:

• Sasi të vogla të marihuanës (gjithsej 34.2 gram);
• Dy peshore digjitale;
• Para të gatshme në vlerë prej 4045 euro, 40 funta dhe 40 franga;
• Dy vetura;
• Katër telefona celularë.

Gjithashtu, është kontrolluar edhe një veturë tjetër e përdorur nga të dyshuarit, ku janë gjetur 25 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë totale prej 11.9 gramësh.

“Operacioni policor i antidrogës ka rezultuar me gjithsej katër (4) persona të arrestuar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Forenzikës Rajonale në Prishtinë, të cilat kanë kryer dokumentimin dhe konfiskimin e të gjitha provave materiale. Vlen të theksohet se në njërën nga lokacionet e bastisura është zbuluar një hapësirë e modifikuar si “Call Center”, ku janë sekuestruar pesë laptopë. Lidhur me këtë, në vendngjarje kanë intervenuar edhe njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilat do të vazhdojnë hetimet në drejtim të veprave penale përkatëse sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku në proces është ndaluar edhe një person tjetër duke quar në pesë (5) numrin e personave të arrestuar gjatë këtij operacioni”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit janë shoqëruar në Polici dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit Kujdestar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

“Rasti është duke u hetuar nga antidroga në Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar seriozisht në luftën kundër veprave kriminale, në veçanti kundër abuzimit dhe shpërndarjes së narkotikëve dhe është e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”, thuhet në fund të njoftimit. / Gazeta Enigma.

Related Articles