PDK propozon draft-rezolutë për mbrojtjen e të vërtetës së viktimave të luftës, VV e përkrahë

PDK propozon draft-rezolutë për mbrojtjen e të vërtetës së viktimave të luftës, VV e përkrahë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka propozuar një draft-rezolutë në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit për viktimat e luftës, shkruan Gazeta Enigma.

Propozimi u bë nga deputetja Vlora Çitaku.

“Sot përballë neve nuk kemi vetëm sfida politike dhe institucionale por edhe një më të rëndësishme, përpjekje për ta shtrembëruar identitetin tonë. Ne kemi dhënë një draft propozim jemi të gatshëm ta diskutojmë, kërkojmë që të futet në rend dite si pikë e parë. Nuk ka kuptim që Kuvendi sot të sillet normalisht dhe të mos e miratoj si pikë të parë këtë rezolutë menjëherë pas pyetjeve parlamentare”, tha ajo.

Kjo u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët përmes Arbërie Nagavcit theksuan që të formohet një grup punues, ky LVV-ja do jap përkrahjen e saj.

“Sikurse e diskutuam edhe në takimin e Kryesisë, LVV është e gatshme të kontribuojë në një rezolutë që do të paraqiste përmbajtësisht në aspekt shumëdimensional çështje që trajtojnë luftën e fundit. Në lidhje me këtë, ne jemi të gatshëm të delegojmë deputetët tanë, që bashkë me deputetët e GP-ve tjera që të vijnë me një rezolutë e cila i adreson këto çështje në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Nagavci, teksa shtoi se pret që deri në fund të ditës të sillet një draft për miratim në Kuvend.

Edhe LDK-ja e përkrahu draftin e rezolutës. Kjo u tha nga shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shqytuar tekstin e rezolutës dhe në parim pajtohem për të sepse është obligim i yni që ta mbrojmë sakrificën e popullit tonë për liri. Gjithsesi jemi të gatshëm të kontribojmë në komision të përbashkët, nëse ka një iniciativë për ta modifikuar dhe plotësuar tekstin e kësaj rezolute”, deklaroi ajo.

Related Articles