AGK: Padia e Blinera Osmanit ndaj gazetarëve dhe mediave përmban elemente të qarta të një padie SLAPP

AGK: Padia e Blinera Osmanit ndaj gazetarëve dhe mediave përmban elemente të qarta të një padie SLAPP

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim serioz për padinë e ushtruar nga Blinera Osmani, avokate dhe njëherësh motra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, kundër tri mediave online dhe dy gazetarëve, lidhur me raportimin mbi mënyrën se si ajo është pajisur me licencë të avokatisë pa i përmbushur të gjitha kriteret.

Në reagimin e AGK-së thuhet se media online “Nacionale” dhe gazetari Oqean Dermaku kanë publikuar një hulumtim më 18 dhjetor 2025, sipas të cilit avokatja Blinera Osmani është pajisur me licencën e avokates, pavarësisht faktit se i mungonte dokumenti “Deklarata e Papunësisë”, dokument ky, i cili dëshmon se kandidati për avokat nuk është në marrëdhënie pune, është kriter për t’u bërë avokat dhe lëshohet nga Agjencia e Punësimit.

“Gazetari hulumtues Dermaku e ka bazuar raportimin e tij të vërtetë në konfirmimin zyrtar të kësaj agjencie, sipas së cilës ata nuk ia kanë lëshuar këtë deklaratë avokates Osmani. Raportimi fillestar është ripublikuar nga Reporteri dhe Periskopi. Përmbajtja është shpërndarë gjithashtu në rrjete sociale nga gazetarët Oqean Dermaku dhe Berat Buzhala.

Pas një analize të kujdesshme të fakteve, përmbajtjes së padisë dhe standardeve relevante evropiane për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të medias, AGK-ja vlerëson se kjo padi përmban elemente të qarta të një Padie Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP)”.

Në reagim thuhet se kjo padi paraqet një përpjekje të qartë për të penalizuar, frikësuar dhe dekurajuar mediat dhe gazetarët për raportimin e tyre tërësisht të saktë mbi një çështje me interes të lartë publik.

Në këtë rast, AGK vlerëson se padia nuk ka për qëllim vetëm mbrojtjen e pretenduar të reputacionit, por prodhon efekt intimidues ndaj gazetarisë hulumtuese dhe raportimit kritik për çështje me rëndësi publike.

AGK tutje thotë se do ta monitorojë rastin në gjykatë dhe shpreh besim të plotë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në veçanti, e mirëpresim faktin që gjykata ka kërkuar përgjigje nga ana e të paditurve rreth mesit të muajit mars, pra në më pak se tre muaj nga dita kur është ushtruar padia. Kjo tregon efektin e menjëhershëm dhe të rëndësishëm të Strategjisë së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Qasje në Drejtësi, e cila i prioritizon rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, rastet e shpifjes dhe paditë SLAPP.

Në linkun në vazhdim mund ta lexoni analizën e plotë ligjore të përgatitur nga Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias dhe këshilltare e jashtme ligjore pro bono e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Ajo është bashkautore e Rekomandimit të Këshillit të Evropës kundër padive SLAPP, dokument ky i miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës. Ajo po ashtu është anëtare e Grupit të Ekspertëve kundër padive SLAPP të Komisionit Evropian.

Related Articles