Pas tensioneve në Lindjen e Mesme, mes ShBA-së dhe Iranit, çmimi i naftës pësoi një rritje në të gjithë botën, pasi që 20% e naftës kalon nga Ngushtica e Hormuzit në Iran.
Me përshkallëzimin e situatës, kalimi nëpër këtë ngushticë u bë i vështirë duke ndikuar direkt që çmimi i naftës të mos ketë zbritje, shkruan Gazeta Enigma.
Presidenti i ShBA-së Donald Trump, i kishte dhënë Iranit një ultimatum deri në mbramjen e së martës – në rast se nuk do të kishte ndonjë marrëveshje, presidenti amerikan u zotuar se ‘do ta shkatërronte një civilizim të tërë’.
Marrëveshja për armëpushim erdhi 90 minuta para një afati të vendosur nga Trump që Irani t’i pranonte kërkesat e tij ose të rrezikonte shkatërrim të gjerë, gjë që mund të kishte shkaktuar ndërprerje edhe më të mëdha në furnizimet nga Lindja e Mesme.
Presidenti Trump theksoi se marrëveshja për armëpushim u bë me kusht që Irani të pranonte të rihapte ngushticën kritike të Hormuzit
”Bazuar në bisedat me Kryeministrin Shehbaz Sharif të Pakistanit, dhe duke qenë se ata kërkuan që të përmbahesha nga përdorimi i forcës shkatërruese që ishte planifikuar për sonte ndaj Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë pranoj të pezulloj bombardimin dhe sulmin ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM i dyanshëm!”, tha Trump.
Tutje, menjëherë pasi u arrit marrëveshja për armëpushim filluan lëvizjet e transportit detar nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Pas arëmpushimit dyjavor ndërmjet ShBA-së dhe Iranit ka nisur të bie çmimi i derivateve.
Pavarësisht që ka filluar rënia e çmimeve, ato mbesin prapë të larta për dallim nga periudha para 28 shkurtit, kur nisi konflikti.
Përpara se SHBA-ja dhe Izraeli të fillonin sulmet, nafta ishte rreth 72 dollarë për fuçi. Çmimi mesatar vitin e kaluar ishte 69 dollarë.
Por, menjëherë pas arritjes së armëpushimit dyjavor, çmimet e naftës ranë ndjeshëm, me më shumë se 13.5% në 94 dollarë për fuçi për naftën bruto Brent, që është edhe pika referuese.
Në botë bie çmimi i naftës, në Kosovë rritet
1.89 euro do të jetë çmimi i një litre naftë në Kosovë për ditën e sotme, apo 1 cent më shumë se dje.
Kështu thuhet në njoftimin e fundit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për çmimet maksimale të lejuara.
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, tha se rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare “mund të jetë një reagim afatshkurtër”.
Gjithashtu tha se rihapja e Ngushticës së Hormuzit – e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit – solli “pak qetësi në tregjet e naftës”.
“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër”, u shpreh Berjani për Enigmën.
Nëse situata mbetet e qetë, ai tha se “çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht”.
“Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë”, u shpreh Berjani./GazetaEnigma/
