Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka udhëtuar për New York të SHBA-së për të përfaqësuar Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Sipas një njpftimi të MPJD-së , seanca e Këshillit të Sigurimit do të mbahet sot nga ora 10:00 sipas kohës lokale, kurse në Kosovë do të jetë ora 16:00.
“Në këtë seancë do të do të mbahet briefing-u i radhës për Kosovën.”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet që sot të mbajë raportimin e parë për këtë vit mbi situatën në Kosovë.
Në këtë seancë, edhe Përfaqësuesi Special dhe shefi i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Peter Due, pritet të informojë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK-un, i cili iu shpërnda anëtarëve të Këshillit më 31 mars dhe mbulon zhvillimet midis 16 shtatorit 2025 dhe 15 marsit. Kosova dhe Serbia pritet të marrin pjesë, shkruan gazeta online Rerporteri.net.
Due pritet të nxjerrë në pah zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së mbuluar nga raporti i Sekretarit të Përgjithshëm. Ai pritet të theksojë, ndërsa situata në veri të Kosovës vazhdoi të ishte e qetë, por e brishtë dhe dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) arriti njëfarë progresi, por pasiguria politike në Kosovë ka vazhduar.
Targetimi i infrastrukturës së Iranit, Pompeo përmend bombardimet e NATO-s dhe goditjen e rrjetit elektrik të Serbisë: U shpëtuan jetë…
Aty përmenden zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor 2025, ku pati pjesëmarrje të gjerë në të gjitha komunitetet dhe një tranzicion paqësor të autoritetit, përfshirë në veri të Kosovës, ku kryetarët e komunave serbe të Kosovës kanë marrë detyrën për herë të parë që nga tërheqja nga institucionet e Kosovës në vitin 2022.
Raporti përmend se zgjedhjet nacionale, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, gjithashtu u zhvilluan paqësisht, por Kuvendi mbeti i bllokuar për thuajse një vit.
“Më 11 shkurt, Kuvendi zgjodhi Kryeministrin Albin Kurti si udhëheqës të qeverisë së re me 66 vota pro, duke zgjidhur përkohësisht një bllokim politik pothuajse njëvjeçar”, thekson raporti.
Përmendet edhe çështja e presidentit që ka shkaktuar një pasiguri të re politike.
“Megjithatë, më 5 mars, afati kushtetues për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës skadoi pa marrëveshje midis partive politike, duke shkaktuar pasiguri të përtërirë politike. Të nesërmen, Presidentja në detyrë Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se akterët politikë kishin dështuar qëllimisht në përmbushjen e afatit kushtetues. Partia Vetëvendosje e kundërshtoi dekretin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke pretenduar se shpërbërja mund të ndodhë vetëm pas tre raundeve të pasuksesshme të votimit presidencial. Më 9 mars, Gjykata Kushtetuese vendosi një masë të përkohshme që e ndalonte Osmanin të vepronte sipas dekretit të saj. Gjykata vendosi më 25 mars se dekreti ishte pa efekt ligjor dhe i dha Kuvendit 34 ditë për të zgjedhur një president”, thekson raporti.
Sipas dokumentit, “nuk ka pasur progres domethënës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet” Kosovës dhe Serbisë.
Në përpjekje për ta ringjallur procesin, thuhet se i dërguari special i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ka zhvilluar takime të ndara me zyrtarë të lartë në Prishtinë dhe Beograd gjatë janarit dhe shkurtit, përfshirë edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb Alleksandar Vuçiq.
Më 22 janar, Sorensen mblodhi në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë për takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, një trupë trilaterale që mbikëqyr zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023.
Tutje përmendet, Ligji për të Huajt dhe marrëveshja e arritur mbi modalitetet e zbatimit të këtij ligji, duke përfshirë masa shtesë që lidhen me lejet e qëndrimit dhe dokumentet e identifikimit.
Në takimin e sotëm, Due dhe disa anëtarë të Këshillit pritet t’i bëjnë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.
