Dështon sërish zgjedhja e kryesuesit të ri të KGJK-së, s’ka kuorum

Dështon sërish zgjedhja e kryesuesit të ri të KGJK-së, s’ka kuorum

Edhe sot Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nuk ka arritur të zgjedhë kryesuesin e ri, për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Gazeta Enigma.

Në mbledhje janë ngritur shqetësime lidhur me mungesën e kuorumit nga anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi.

“Siç jeni në dijeni, unë jam një nga kandidatët për kryesues të KGJK-së dhe për mua nuk është fare e rëndësishme se a do të zgjidhem unë apo dikush tjetër për kryesues të KGJK-së, por është shumë e rëndësishme dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zgjidhet kryesuesi i KGJK-së. Nëse e shikojmë në retrospektivë mënyrën e veprimit të KGJK-së, rezulton se në këtë institucion nuk ka qenë e zakonshme dështimi i takimeve në mungesë kuorumi. Dhe besoj thellë që ne, të gjithë anëtarët e KGJK-së, mbajmë përgjegjësi për dështimin e takimeve dhe komplet procesin për emërimin e kryesuesit të KGJK-së. Unë besoj që zgjedhja e kryesuesit duhet të jetë një aspekt krejtësisht meritokratik, sepse KGJK-ja është një organ kolegjial ku puna dhe proceset duhet të jenë transparente, votimi duhet të jetë i lirë dhe demokratik, ndërsa të zgjedhurit duhet të jenë të legjitimuar nga shumica e anëtarëve të KGJK-së, të cilët sipas bindjes dhe vullnetit të lirë e të papandikuar votojnë për një kandidat”, tha Thaqi.

Ai vlerëson se sinkronizimi i veprimeve me struktura politike, me grupe të interesit dhe persona të tjerë nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së.

Related Articles