AAK mban Kuvendin e 10-të në Gjakovë, Flamur Fetahaj zgjidhet kryetar i Degës

AAK mban Kuvendin e 10-të në Gjakovë, Flamur Fetahaj zgjidhet kryetar i Degës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar qeverisjen e Aleancës në Gjakovë, duke thënë se ky qytet “ka fituar dinjitetin e një qyteti që zhvillohet me punë, përkushtim dhe rezultate konkrete” nën drejtimin e kryetarit Ardian Gjini.

Haradinaj, përmes një postimi, ka theksuar se “Gjakova e dijes, kulturës dhe atdhedashurisë për shumë mandate i ka besuar Aleancës udhëheqjen me komunën”, ndërsa ka përmendur investimet dhe projektet, që sipas tij, e kanë bërë qytetin “model të mirëqeverisjes lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.

Ai tha se kjo mbështetje u konfirmua edhe në Kuvendin Zgjedhor të X-të të Degës së AAK-së në Gjakovë, ku u zgjodhën strukturat e reja drejtuese.

Haradinaj ka njoftuar se Flamur Fetahaj, aktualisht nënkryetar i Komunës së Gjakovës, është zgjedhur kryetar i Degës së AAK-së në këtë komunë.

“Përgëzoj për zgjedhjen si kryetar i Degës, Flamur Fetahajn… një kuadër i dëshmuar dhe i përkushtuar”, ka shkruar Haradinaj, duke i uruar suksese në detyrën e re.

Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohje për kryetarin e deritanishëm të Degës, Ardian Gjinin, si dhe për strukturat partiake që, sipas tij, ndër vite kanë dhënë kontribut që AAK të mbetet “forca e parë politike” në Gjakovë.

Në fund, Haradinaj u ka uruar mbarëvajtje dhe suksese Fetahajt dhe strukturave të reja të zgjedhura nga Kuvendi.

Related Articles