Projektligji për Byron për Konfiskimin e Pasurisë është rikthyer sërish në vëmendje, në një kohë kur skena politike në Kosovë po hyn në një fazë të ndjeshme para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mundshme. Ndonëse projektligji synon luftimin e korrupsionit dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, mënyra dhe koha e rikthimit të tij kanë ngjallur debat, me kritika se procesi po përdoret si mjet politik dhe elektoral, shkruan Gazeta Enigma.
Çka parasheh ky organ?
Byroja për Konfiskimin e Pasurisë është një institucion i pavarur në Kosovë, e cila ka qëllim luftimin e korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm, detyra kryesore e së cilës është të verifikojë nëse pasuria e zyrtarëve publikë dhe familjarëve të tyre përputhet me mjetet e tyre legjitime të fituara.
Ideja për Byronë lindi si shtylla kryesore e programit të Lëvizjes Vetëvendosje për “drejtësi dhe llogaridhënie”.
Qëllimi ishte krijimi i një mekanizmi civil që verifikon pasurinë e zyrtarëve publikë, anëtarëve të familjeve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht. Nëse pasuria e tyre kalon vlerën e të hyrave të ligjshme me mbi 25,000 euro, Byroja mund të kërkojë në gjykatë konfiskimin e saj.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.
Pas kësaj më 17 prill 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim (lexim të parë) versionin e ri të Projektligjit me 81 vota pro, asnjë kundër dhe 25 abstenime.
LDK dhe AAK votuan pro në lexim të parë me kushtin që të bëhen ndryshime në leximin e dytë, ndërsa PDK-ja abstenoi, duke vazhduar të ketë rezerva për kushtetutshmërinë e tij.
Aktualisht, projektligji ndodhet në fazën e shqyrtimit nëpër komisione parlamentare për t’u përgatitur për leximin e dytë dhe final. Kryeministri Kurti ka deklaruar se Byroja do të jetësohet pavarësisht kundërshtimeve, duke e cilësuar si mjetin që do t’i japë fund epokës ku funksioni publik shërben si mburojë për padurim.
Fakti që projektligji u rikthye në lexim të parë në prill 2026, një periudhë kur diskutohet për zgjedhje të mundshme apo afate të rëndësishme politike, nga shoqëria civile po shihet si një lëvizje taktike për fushatë nga partia në pushtet.
Shoqëria civile e konteston procedurën për miratimin e projektligjit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e kanë dënuar trajtimin që i është bërë projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar procesin si shkelje të procedurave parlamentare. Ato kanë kritikuar mungesën e transparencës në hartimin dhe miratimin e këtij projektligji.
KDI theksoi se Komisioni për Legjislacion ka përshpejtuar pa nevojë procedurat, duke marrë vendime pa debat të plotë dhe pa pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës. Vendimi për mbajtjen e dëgjimit publik brenda një afati më pak se 24 orësh, sipas tyre, është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
E sipas Vullnet Bugaqkut, hulumtues në KDI, ky nxitim për miratimin e projektligjit po vjen për shkak të mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit dhe shfrytëzimit të miratimit të tij për fushatën zgjedhore.
Partitë opozitare me “po” në parim, por me vërejtje për projektligjin
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha për Gazetën “Enigma” se partia në pushtet po ngutet për Byron e Pasurisë së Pajustifikueshme pasi iu duhet një kauzë për të shkuar në zgjedhje.
“Nuk e di sa janë përfshirë këto vërejtjet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese për këtë projektligj më herët, por po, po ngutet, sepse kjo Qeveri ka ngelë pa kauzë tash, dhe sipas tyre, gjithmonë duhet me e kriju një kauzë për me shku në zgjedhje, edhe kësaj here ndoshta populli ka me hangër këtë fore të Lëvizjes Vetëvendosje, se do e konfiskojnë pasurinë e pajustifikueshme, edhe pse qartësohet se Gjykata e kryen këtë punë e jo Qeveria”, tha ajo.
E pyetur nëse do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese këtë projektligj, Kadrijaj tha se nuk dihet a do të ketë kohë për të bërë diçka të tillë, pasi se zgjedhjet po shihet se janë afër.
“Këta votat i kanë dhe mendoj që do të kalohet, pasi edhe partitë opozitare e kanë votuar. Nuk e di se a do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi po parashihet që do të kemi zgjedhje të parakohshme dhe nuk e di se a do të kemi kohë”, tha ajo për “Enigmën”.
Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, tha se si PDK e mbështesin në parim, por duhet ta shohin se çfarë përmban pas leximit të dytë.
“Është shumë mirë me mujtë me bo, por pa politizim. Nuk besoj se është punë fushate, por se menaxhimi politik i bordit është i keq. Partia Demokratike prej vitit 2013 kemi propozu diçka të tillë, por Vetëvendosja ka qenë kundër. Nuk e di a do të dërgohet në Kushtetuese, të shohim çka ka mbrenda në të”, tha ai për Gazetën “Enigma”.
“Nxitimi për miratim vështirë të justifikohet ndryshe përveçse si kalkulim politik”.
Analisti politik, Arton Muhaxheri, ka shprehur gjithashtu shqetësim për procesin e miratimit të këtij projektligji.
“Shkeljet procedurale që i kanë ngritur KDI dhe GLPS nuk janë thjesht teknike, por prekin thelbin e procesit ligjvënës. Kur një ligj që ndërhyn në të drejtat pronësore kalon me nxitim, pa debat të mirëfilltë dhe pa transparencë, atëherë kemi problem serioz me standardet demokratike. Kjo tregon një qasje ku pushteti e trajton procedurën si pengesë, jo si garanci”, tha ai për “Enigmën”.
Ai tha se “nxitimi për miratim vështirë të justifikohet ndryshe përveçse si kalkulim politik”.
“Kur injorohen vërejtjet profesionale dhe shtyhet një ligj i ndjeshëm me urgjencë, krijohet bindja se synimi është efekt elektoral dhe jo reformë e qëndrueshme. Kjo e dëmton besimin dhe hap rrugë për përdorim selektiv”, shtoi ai.
Ai shtoi se ky ligj rrezikon seriozisht të rrëzohet përsëri nga Kushtetuesja.
“Në këtë formë, ligji rrezikon seriozisht të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Nëse nuk respektohen parimet bazë si siguria juridike, proporcionaliteti dhe prezumimi i pafajësisë, ai nuk mund të qëndrojë. Një ligj i bërë me ngut zakonisht bie po aq shpejt dhe kjo është përgjegjësi direkte e pushtetit që e ka shtyrë përpara pa i kryer detyrat si duhet”, përfundoi ai. /Gazeta Enigma/
