Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar se i ka shprehur shqetësime ish-presidentit amerikan Donald Trump lidhur me çështjet e drejtësisë ndërkombëtare dhe proceset në Hagë, përfshirë edhe rastin e ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Delfit, Rama në një bisedë me kryeredaktorin e gazetës “Kathimerini”, Alexis Papahelas, ka folur për takimin e tij me Trump në kuadër të “Bordit të Paqes”.
Ai tha se i ka kërkuar ish-presidentit amerikan të angazhohet më shumë në zgjidhjen e disa çështjeve të hapura në rajon, duke përmendur edhe proceset gjyqësore që lidhen me ish-udhëheqës të UÇK-së.
“E kam informuar Presidentin Trump për shqetësimet që kam lidhur me drejtësinë ndërkombëtare dhe mënyrën se si është trajtuar çështja e UÇK-së dhe disa prej liderëve të saj në Hagë”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se këto çështje, sipas tij, burojnë nga një raport që ai e cilësoi të kontestuar dhe që ka ndikuar në ngritjen e aktakuzave.
I pyetur nëse ka marrë përgjigje nga Trump, Rama u përgjigj se ende nuk ka pasur reagim.
“Ai nuk më ka informuar ende, por mendoj se ka qenë shumë i zënë”, tha ai.
