Në mungesë të gjetjes së një zgjidhjeje për Presidentin, partitë opozitare tanimë kanë filluar t’i bëjnë kalkulimet për zgjedhje të reja, për të cilat thonë se janë gati. Por, një proces i ri elektoral, do të ketë jo pak sfida, vlerësojnë monitoruesit, sidomos për shkak të devijimit të votave për kandidatët në zgjedhjet e fundit, për çka disa komisionerë ende janë në paraburgim
Më shumë se asnjëherë në legjislaturën e 10, tani në horizont po shihen zgjedhjet e reja.
Në rast se nuk arrihet një konsensus për Presidentin, për çka ka pak gjasa, datat e zgjedhjeve, tanimë dihen.
“Në rast se nuk do ketë përfshirje të Kushtetueses me ndonjë lëndë, ekzistojnë dy data: 7 qershor dhe 31 maj, si datat e vetme kushtetuese”, ka deklaruar Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.
Por, cilado që të jetë data, diçka dihet me siguri: disa nga komisionerët që numëruan vota në zgjedhjet e fundit, tani zgjedhjet e reja potenciale, ka mundësi t’i presin në paraburgim. Ky precedent, pritet që të ketë jopak ndikim, në perceptimin publik.
“Me atë që ngjau në zgjedhjet e fundit, normalisht që do reflektonte në kuptim të pjesëmarrjes, por edhe vëmendjes së procesit të numërimit i cili në zgjedhjet e fundit, prodhoi qindra/mijëra vota preferenciale dallim”, ka deklaruar Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.
Zgjedhjet eventuale, mund të evitohen veç nëse deri më 28 prill zgjidhet Presidenti apo Presidentja e Republikës së Kosovës.
