Finalja e Kupës së Kosovës në futboll do të zhvillohet më 21 maj, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Dukagjini dhe Ferizaj.
Të dyja skuadrat nuk kanë arritur më herët ta fitojnë këtë trofe, ndaj kjo finale paraqet një mundësi historike për të thyer “thatësinë” dhe për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane.
Ferizaj, përmes një komunikate zyrtare, ka njoftuar tifozët për detajet e finales.
“Finalja e Kupës së Kosovës mes klubit tonë FC Ferizaj dhe KF Dukagjini do të zhvillohet më 21 maj në Stadiumi Fadil Vokrri.
Për më shumë detaje rreth organizimit dhe informacioneve shtesë, do t’ju njoftojmë me kohë!”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Kjo finale pritet të jetë historike, pasi asnjëra prej skuadrave nuk e ka fituar më parë këtë trofe, duke synuar ta “thyejnë akullin” për herë të parë.
Si Dukagjini ashtu edhe Ferizaj kanë përvojë në ndeshje finale, me Dukagjinin që ka qenë tre herë pjesëmarrës në finale të këtij kompeticioni.
