Kreshnik Uka zgjedhet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Kreshnik Uka zgjedhet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, po vazhdon me ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

Për javën e tridhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të tretë futbollistit të FC Drenicës, Kreshnik Uka, i cili shënoi dy gola në ndeshjen kundër FC Prishtina e Re, e cila përfundoi me rezultatin 2:3.

Pasi mori këtë çmim, Uka u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.

“E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi duke parë vendin në tabelë të Prishtinës së Re, e dinim që i duhen pikët e plota. Fillimi i ndeshjes nuk ishte siç e kemi pritur, sepse në pjesën e parë ishim në disavantazh 1-0. Por, në pushimin e ndeshjes, së bashku me trajnerin, lojtarët dhe kapitenin Genc Hamiti, u dakorduam që të dalim fuqishëm në pjesën e dytë dhe ta rikthejmë ndeshjen dhe ashtu doli. Shpresoj të vazhdojmë kështu, pse jo edhe kundër Ballkanit”, tha ai.

“Si klub, nuk e kemi pasur synim daljen në Evropë përmes kampionatit, por përmes kupës. Por, tash e tutje, çfarëdo që të vijë, pse jo, do të vazhdojmë. Kjo është meritë e bashkëlojtarëve, duke filluar nga kapiteni Genc Hamiti e deri te lojtari më i ri, të cilët nuk po kursehen duke dhënë maksimumin. Gjithashtu edhe stafi dhe trajnerit janë duke bërë një punë të mrekullueshme. Kemi arritur të krijojmë një mentalitet të ri në ekip dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme,” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Related Articles