Zgjedhjet në horizont – aktgjykimi për pesëshen e UÇK-së shtyhet në Hagë

Zgjedhjet në horizont – aktgjykimi për pesëshen e UÇK-së shtyhet në Hagë


Kanë kaluar mbi dy muaj pas mbylljes së procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, shkruan Gazeta Enigma.

Por, vendimi përfundimtar që ishte paraparë brenda afateve të pacaktuara ligjore më 19 maj është shtyrë deri më 20 korrik. Këtë e ka konfirmuar për gazetën zëdhënësja e Speciales, Angela Griep e cila ka deklaruar po ashtu se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do të shpallet aktgjykimi dhe paralajmëroi se mund të ketë shtyrje tjetër.

Ajo theksoi gjithashtu se paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

“Trupi Gjykues ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026. Paneli konstatoi se rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, duke përmendur vëllimin e provave dhe kompleksitetin e procedurave. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur”, ka thënë Griep.

Madje nga ky institucion nuk e kanë mohuar që kjo çështje edhe mund të zgjatet përsëri.

“Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur”, ka thënë Griep.

Por, a kanë ndikuar zgjedhjet e jashtëzakonshme në shtyrjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Avokati Ilir Shaqiri deklaroi se proceset e tilla i kanë të zakonshme shtyrjet pasi që janë raste të ndërlikuara dhe me volum të madh të provave.

“Sa i përket vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit për krerët e UÇK-së, vlerësoj se bëhet fjalë për një çështje që duhet parë kryesisht në prizmin procedural dhe të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë penale, pasi që në Rregulloren e Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara është paraparë në nenin 159, në të cilin theksohet se ‘shpallja e aktgjykimit bëhet 90 ditë pas mbylljes së çështjes gjyqësore, por mund të nxirret vendim për shtyrjen e këtij afati, por jo më shumë se 60 ditë të tjera dhe duhet dhënë arsye të nevojshme për shtyrje’. Në procese të kësaj natyre, të ndërlikuara dhe me volum të madh provash, shtyrjet nuk janë të pazakonta dhe shpesh lidhen me nevojën për shqyrtim të plotë të provave, garantimin e një procesi të rregullt gjyqësor dhe respektimin e të drejtave të palëve. Këto janë parime thelbësore të drejtësisë ndërkombëtare, të cilat nuk mund të cenohen për arsye të jashtme”, tha Shaqiri për Gazetën Enigma.

Shaqiri theksoi se nuk ka bazë ligjore që një gjykatë ndërkombëtare si kjo e Hagës të varet nga zhvillimet politike në Kosovë.

“Theksoj se nuk ka bazë ligjore apo prova konkrete që vendimet e një gjykate ndërkombëtare si kjo të varen nga zhvillimet politike të brendshme në Kosovë. Në parim, gjykatat duhet dhe pretendohet të funksionojnë të pavarura nga çdo ndikim politik. Kam shfaqur publikisht shqetësimet për punën e organit hetues të Prokurorisë sa i përket pranimit të provave nga shteti i Serbisë, kur e dimë që të gjitha kanë qenë të montuara dhe asgjë që ka të bëjë me realitetin dhe drejtësinë, por kam besim të plotë që kjo gjykatë, edhe pse për nga opinioni im dhe i profesionistëve ka zbehur me disa veprime funksionalitetin, por edhe besimin ndaj saj, besoj fuqishëm që do të nxjerrë vendim të ligjshëm dhe heronjtë e luftës së Kosovës të kthehen faqebardhë edhe njëherë nga beteja, jo e luftës, por e ruajtjes së paqes dhe të vërtetës. Po, perceptimet publike janë të kuptueshme në një kontekst të ndjeshëm politik, por ato nuk duhet të ngatërrohen me realitetin juridik, i cili mbështetet në procedurë dhe prova, dhe gjykata e ka të ditur mbi cilat parime zhvillohet procedura dhe nxirren vendimet”, përfundoi Shaqiri për Enigmën.

Organizata “Liria ka emër” ka vlerësuar si tërësisht të papranueshme shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Sipas kësaj organizate, kjo praktikë e vazhdueshme e vonesave të paarsyeshme nuk mund të shihet më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimeve themelore të drejtësisë për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm.

Ajo thekson se procesi, i cili po zvarritet për vite të tëra me shtyrje të përsëritura, e ka humbur tërësisht kredibilitetin dhe është shndërruar në një mekanizëm që prodhon padrejtësi të vazhdueshme.

Sipas “Liria ka emër”, mbajtja e ish-krerëve të UÇK-së për gati gjashtë vite në paraburgim bie ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut.

Tutje, pas këtij vendimi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka dorëzuar në Gjykatën Speciale peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime që kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Ndër të tjera, Gucati foli për vendimin e Speciales për shtyrjen e afatit për shpalljen e vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

“Kështu unë shpresoj dhe dua të besoj fuqishëm në gjykatën që ta ndajë një drejtësi të mirëfilltë dhe t’i marrë parasysh nënshkrimet tona, të cilat shqiptarët anë e kënd trojeve ku janë, jo vetëm në Kosovë, por në Shqipëri, Maqedoni, Mali të Zi dhe shqiptarët në mërgatë, që i kanë nënshkruar këto peticione, të shkojë në zërin e duhur, në vendin e duhur dhe të merren parasysh se 200,000 shqiptarë kanë nënshkruar për luftën e shenjtë dhe direkt për presidentin dhe të tjerët që të lirohen nga kjo padrejtësi e madhe që po na ndodh neve tash në këto momente”, deklaroi Gucati.

“Proces i ndikuar nga politika” Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar për shtyrjen e aktgjykimit. Madja ata e kanë quajtur gjithë procesin “të ndikuar nga politika” “Kjo vonesë e pajustifikueshme është një dëshmi e radhës e këtij procesi të stërzgjatur, i cili e ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në një proces të ndikuar nga kalkulimet politike”, theksohet në reagimin e tyre.

“Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”.

PDK ndër të tjera i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në një shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare./GAZETAENIGMA/

Related Articles