Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dekretuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Përveç këtij ligji, Haxhiu ka njoftuar se ka dekretuar edhe ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.
“Kam dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për Republikën. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme, me banimin social dhe të përballueshëm, kujdesin shëndetësor, shtetësinë, shërbimet e pagesave, resurset ujore dhe maturën shtetërore. Po ashtu, kam dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim. Ligjet marrin peshë kur shndërrohen në shërbim për qytetarin dhe në forcim të Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
