Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se shpërthimi i fundit i hantavirusit në anijen “MV Hondius” nuk duhet të krahasohet me pandeminë COVID-19, duke theksuar se rreziku aktual për shëndetin publik mbetet i ulët.
Në një letër publike drejtuar qytetarëve të Tenerifes në Spanjë, kreu i OBSh-së ka pranuar shqetësimet e banorëve pas raportimeve për rastet në anije, por ka siguruar se autoritetet shëndetësore ndërkombëtare dhe ato spanjolle kanë situatën nën kontroll.
Sipas të dhënave të OBSh-së, në anije është identifikuar varianti Andes i hantavirusit dhe deri tani janë konfirmuar tre viktima. Megjithatë, aktualisht nuk ka pasagjerë me simptoma aktive në bord.
Autoritetet spanjolle kanë përgatitur një plan të posaçëm për zbarkimin e udhëtarëve në portin industrial të Granadillas, larg zonave të banuara. Pasagjerët do të transportohen me masa të rrepta sigurie drejt aeroporteve për t’u kthyer në vendet e tyre.
Tedros ka theksuar se qytetarët e Tenerifes nuk do të kenë kontakt me pasagjerët apo familjet e tyre, ndërsa ka falënderuar qeverinë spanjolle për pranimin e anijes, duke e cilësuar këtë si një akt humanitar dhe solidariteti ndërkombëtar.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se pritet të udhëtojë personalisht në Tenerife për të mbikëqyrur operacionin dhe për të falënderuar ekipet shëndetësore dhe autoritetet lokale për angazhimin e tyre.
