Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të pandehurve të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë rast do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Gjykata ka bërë thirrje publike që të gjithë të pandehurit e përfshirë në këtë rast të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të drejtësisë në Kosovë. Po ashtu, është kërkuar nga qytetarët që të ndajnë çdo informacion të mundshëm për vendndodhjen e tyre me Policinë e Kosovës ose institucionet kompetente.
Seanca e parë në këtë çështje penale është planifikuar të mbahet më 1 korrik 2026, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, në orën 09:00, nën drejtimin e trupit gjykues.
Aktakuza lidhet me veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, e parashikuar me Kodin Penal të Kosovës, ndërsa gjykata ka bërë të ditur se dokumentet dhe ftesat për seancë janë publikuar edhe në faqen zyrtare të institucionit dhe në Gazetën Zyrtare.
Gjykata ka theksuar se do të vazhdojë të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm në këtë proces gjyqësor.
