Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një mesazh për Ditën e Evropës, duke theksuar rëndësinë e Bashkimit Evropian dhe vlerat e tij historike.
“Evropa nuk do të bëhet menjëherë apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, të cilat së pari krijojnë një solidaritet de fakto,” ka shkruar Kurti, duke kujtuar fjalët e Robert Schumanit dhe themelimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai theksoi se për Kosovën, projekti evropian ka qenë një premtim i pazbatuar për paqe, duke përmendur përvojat historike të vendit, përfshirë luftërat dhe gjenocidin serb. Kurti shtoi se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është vetëm çështje prosperiteti, por edhe një domosdoshmëri për ruajtjen e paqes së qëndrueshme në Evropë.
Sipas tij, Kosova ka arritur progres në demokraci dhe ekonomi, ndërsa hapat historikë të mandatit të kaluar përfshinin aplikimin për anëtarësim në BE dhe liberalizimin e vizave. Mandati i ardhshëm do të fokusohet tek statusi i kandidatit, hapja e negociatave dhe avancimi i mëtejshëm në procesin evropian.
