Blerand Stavileci, dhe, Hisen Berisha, nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë bërë thirrje për bashkimin e PDK’së, në kohën kur Fatmir Limaj dhe partia që ai udhëheq, NISMA, kanë kërkuar që të jenë pjesë e listës së PDK’së për zgjedhjet e 7 qershorit.
Berisha, ka thënë se është ‘’pjekuri politike’’ aftësia për t’u bashkuar, dhe se, Limaj, ka ende peshë simbolike dhe elektorale në një pjesë të elektoratit të PDK’së.
“Pjekuri politike është aftësia për të bashkuar energjitë, jo për të kultivuar inatet. Fatmir Limaj, pavarësisht rrugëtimit të veçantë politik, vazhdon të ketë peshë simbolike dhe elektorale në një segment të rëndësishëm të elektoratit tradicional të PDK-së dhe të luftës. Injorimi i këtij fakti do të ishte gabim strategjik.
Edhe Stavileci, ka thënë se, duhet të ketë unitet, duke shtuar se, partitë e mëdha s’kanë frikë nga dallimet.
‘‘Prandaj filozofia jonë duhet të jetë e qartë: Unitet me diversitet, unitet pa uniformitet. Përtej emrash e numrash. Partitë e mëdha nuk kanë frikë nga dallimet. Përkundrazi. Ato ushqehen nga energjitë e ndryshme, nga mendimet e ndryshme, nga përvojat e ndryshme që bashkohen rreth një misioni të përbashkët. E tëra është më shumë se shuma e pjesëve të saj dhe kjo është më e vërtetë se kurrë për PDK-në sot, sepse forca jonë nuk është vetëm tek individët, por tek aftësia për t’i bërë bashkë njerëzit rreth një ideali që quhet Kosovë’’, ka shkruar mes tjerash Stavileci.
