Anëtarja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër ish presidenten Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit pati një mal kritikash sonte ndaj LVV-së dhe Albin Kurtin, por që nuk i ka thënë sa ishte në pozitën e të parës së vendit.
Ndër kritikat që Osmani pati për VV-në ishte se “Flamurin e Kosovës nuk e vendosin as në forumet e tyre të brendshme, lëre më në ato ndërkombëtare”.
Për këtë, Musli tha për Osmanin se “pesë vjet e gjysmë e mbajti gojën të mbyllur pa e thënë të vërtetën.”
“U desh t’iu shkundet karrigia që ta pranojë atë që ne ua kemi thënë prej kohësh. Kjo nuk është vetëm hipokrizi politike kjo është mashtrim. Kjo është e papranueshme”, tha Ganimete Musliu.
“Pesë vite e gjysmë të humbura për Kosovën. Pesë vite e gjysmë mashtrim ndaj qytetarëve të Kosovës. Dhe dëmi më i madh nuk janë vitet e humbura, por përpjekja për t’ia humbur Kosovës dinjitetin, simbolin dhe zërin e saj në botë”.
Në fund, Musliu tha se “politikanët e tillë që pranojnë që për një pozitë t’ia humbin Kosovës dinjitetin, nuk duhet të përkrahen nga populli, duhet të ndëshkohen”.
