Konjufca tregon se kur filloi të krisej raporti mes Kurtit dhe Osmanit

Konjufca tregon se kur filloi të krisej raporti mes Kurtit dhe Osmanit

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se raportet mes partisë në pushtet dhe ish-presidentes Vjosa Osmani kishin nisur të ftoheshin gjatë vitit 2024, duke përmendur deklaratën e saj në Kuvend si “goditje të hapur” ndaj Qeverisë së Albin Kurti.

Konjufca në DebatPlus në RTVDukagjini tha se fjalimi i Osmanit në fund të vitit 2024, ku ajo kishte kritikuar Qeverinë lidhur me raportet me SHBA-në, ishte reflektim i ndarjes së rrugëve mes saj dhe LVV-së.

Ai shtoi se periudha 2022-2023 kishte qenë më e mirë sa i përket bashkëpunimit me Osmanin, por se më pas kishte ardhur momenti i “thyerjes”.

“Për deklaratën e saj në dhjetor të viti 2024 aty më ka dukur se Vjosa Osmani e ka bërë një ndarje, për deklaratën e saj {për bixhozin], e cila ka qenë një goditje e hapur publike ndaj qeverisë e kështu me radhë. Ajo ishte reflektim i vitit 2024 sepse viti 2022 – 2-23 ka shkuar më mirë në bashkëpunim me të…. Fjalimi i saj në vitin 2024 është refleksion i asaj që po e them unë, që faktikisht rrugët ishin ndarë, pra duhet të kuptoni, ajo që është esenciale për mendimin tim pas kësaj që ajo ua bëri me dije qytetarëve që e godet qeverinë edhe që nuk është më në të njëjtin mendim me qeverinë, pas atij momenti kur u bë e ditur për qytetarët LVV-ja i fitoi dy palë zgjedhje, mbas atij konstatimi”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, kryeministri Kurti ose zyrtarë të tjerë të Qeverisë mund të japin më shumë detaje për raportet me Osmanin, nëse e konsiderojnë të nevojshme për opinionin publik.

Megjithatë, Konjufca tha se jo të gjitha arsyet e ndarjes me Osmanin do të bëhen publike, duke theksuar se LVV nuk i përdor bisedat sensitive shtetërore si “armë të fushatës zgjedhore”.

Ai shtoi se LVV-ja nuk e ka parë të arsyeshme mbështetjen e një presidenteje që, sipas tij, “do ta godiste Qeverinë edhe në vazhdim”.

Konjufca deklaroi se, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje arriti rezultatin prej 51 për qind në zgjedhje edhe pas “goditjeve” që kishte marrë nga Vjosa Osmani.

Ai tha se qytetarët e kanë perceptuar ndryshimin e qëndrimit të Osmanit ndaj LVV-së si një veprim politik të lidhur me pozitën e saj.

Sipas tij, një qasje e tillë nuk përfaqëson politikë afatgjate dhe nuk ndërtohen kështu raportet politike.

Related Articles