Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, ka thënë se mbrëmjen e së enjtes në Skenderaj ka pasur një qytetrrethim. Për këtë ai i ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti e ministrin e Brendshëm në detyrë Xhelal Sveçla.
Sipas tij Njësia Speciale ka qenë e vendosur në 17 pika Skenderaj.
“Jo që kemi ardhur sot prej qejfit në vizitë, po kemi ardhur që e kemi pasur mbrëmë një qytetrrethim në Drenicë, sidomos në komunën e Skenderajt, që vetëm 1999 e kemi pasur këtë qytetrrethim. 17 pika në komunën e Skenderajt kanë qenë njësia speciale, kanë qenë me armë të gjata, ka qenë një qytetrrethim i panevojshëm nga Qeveria e Albin Kurtit dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla që kjo ka qenë e panevojshme”, ka theksuar Gucati në një konferencë për media të mbajtur në Skenderaj.
Ai ka thënë se Sami Lushtaku nuk i ik drejtësisë, tek ka ngritur një paralele në mes të mosparaqitjes së Lushtakut për intervistim pas pretendimeve se e ka sulmuar kryetarin e qendrës së Vetëvendosjes në Skenderaj Hysni Mehani, me mosparaqitjen e Kurtit për intervistim për rastin e rezervave shtetërore.
