Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Ajo ka vlerësuar se ky hap rikthen mundësinë për një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë.
“Ky veprim i Këshillit Prokurorial të Kosovës rikthen mundësinë për një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë”, ka deklaruar ajo.
Tutje, Haxhiu ka theksuar rëndësinë që procesi të zhvillohet pa ndikime politike dhe në mënyrë të paanshme, duke siguruar zgjedhjen e kandidatit më kompetent.
“Është me rëndësi që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë të paanshme, të besueshme dhe larg çdo ndikimi politik apo interesi të ngushtë, në mënyrë që në krye të Prokurorisë së Shtetit të zgjidhet kandidati më kompetent dhe me integritet të lartë profesional”, është shprehur Haxhiu.
Haxhiu tha se besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë ndërtohet përmes proceseve të drejta, transparente dhe të bazuara në meritokraci.
