ZKA gjen një mori shkeljesh në institucione publike, 80 raste dërgohen në prokurori

ZKA gjen një mori shkeljesh në institucione publike, 80 raste dërgohen në prokurori

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mori shkeljesh në institucionet dhe ndërmarrjet publike në Kosovë.

Si pasojë e dyshimeve për keqpërdorime, ZKA-ja gjatë vitit 2025, ka dërguar 80 raste në Prokurorinë e Shtetit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka renditur mangësitë në procedurat e prokurimit publik, përkatësisht vlerësimin e ofertave, shpërblimin me kontratë për operatorin ekonomik pa i plotësuar kriteret, përdorimin e referencave ndaj një marke brendi të caktuar pa përdorimin e shprehjes ekuivalent, e shumë mangësi të tjera.

“Mangësi në përgatitjen e para masës në projektet kapitale. Mos zbatimi i procedurave të prokurimit publik me rastin e angazhimit të punonjësve për shërbime të veçanta. Ndryshime të ndarjeve buxhetore për projekte kapitale pa miratim të Kuvendit Komunal. Lidhja e 6 kontratave në vlerë prej 50 mijë euro për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese nga mediat e portalet pa procedura të prokurimit publik. Vonesa në implementimin e projekteve kapitale dhe mos zbatimin e ndëshkimeve për vonesa. Mos pagesa e faturave/obligimeve ndaj operatorëve ekonomik brenda afatit ligjor. Mungesa e monitorimit të subvencioneve të dhëna në fushën e bujqësisë. Përzgjedhja e OJQ-ve në kundërshtim me kriteret në Thirrjen Publike. Angazhimi i shërbimeve të auditimit nga auditori privat, për kundër faktit se ndërmarrja ishte subjekt i auditimit nga ZKA. Mos përditësimi i kontratave të të punësuarve,bazuar në vendimet e Bordit, për rritjen e pagës dhe vlerën e saktë të shujtës. Mbajtja e pozitave të rregullta me ushtrues detyre përtej afatit ligjor. Mos menaxhimi i kontratave përmes platformës së prokurimit elektronik (E-prokurimi). Mos hartimi dhe përditësimi i rregulloreve sipas kërkesave ligjore për afarizmin e ndërmarrjes”, ka thënë ajo.

Sipas saj, gjatë këtij sezoni auditues janë planifikuar 145 auditime dhe deri tani janë publikuar 24 raporte.

Ajo ka thënë se tetë institucione kanë marrë opinion të kualifikuar për shkak të keqdeklarimeve materiale dhe raportimit jo të plotë.

Sipas Spancës, edhe ndërmarrjet publike kanë shfaqur mangësi serioze në raportimin financiar.

“Opinionet jo të mira edhe për këto ndërmarrje janë dhënë për arsye se janë gjetur keqdeklarime materiale që ndërlidhen me: raportimin jo të plotë dhe të saktë të pasurive, llogarive të arkëtueshme, mos shpalosje të detyrimeve kontigjente dhe shpalosje jo adekuate të informacioneve, nënvlerësim apo mbivlerësime të zërave të caktuar në pasqyra financiare, etj. Fakti që 8 nga 10 ndërmarrje të audituara kanë marrë opinion negativ tregon që këto ndërmarrje ende nuk kanë arritur të vendosin kontrolle adekuate për raportim financiar. Deri me 30 qershor pritet te publikohet edhe raporti i auditimit për KEK dhe Trepçën”, ka deklaruar ajo. 

Related Articles