Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ku katër persona humbën jetën pas përplasjes së fuqishme mes një veture BMW dhe një kamioni me targa të Kosovës.
Burime policore nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për AlsatM se nuk përjashtohet mundësia që drejtuesi i veturës BMW të ketë qenë femër.
Megjithatë, autoritetet zyrtare ende nuk po ndajnë informacione mbi identitetin e viktimave, ndërsa ekipet e mjekësisë ligjore dhe prokurori kujdestar po analizojnë çdo detaj nga vendi i ngjarjes,
Sipas të njëjtave burime, nga ajo që është konstatuar deri tani në terren, gjasat çojnë drejt dyshimit se automjeti drejtohej nga një grua, por për shkak të djegies së plotë të veturës dhe gjendjes së rëndë në të cilën janë gjetur kufomat, thuajse në eshtra, identifikimi zyrtar do të jetë tepër i vështirë, si dhe nevojën e obduksionit.
Sipas të dhënave jozyrtare policore, aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar nga drejtuesi i kamionit, i cili për shkak të lodhjes dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë në korsinë e kundërt, në momentin kur nga ana tjetër po vinte vetura BMW.
Përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, duke bërë që automjeti të përfshihej menjëherë nga flakët. Nga makina ka mbetur vetëm skeleti metalik, ndërsa rruga vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të hetimeve intensive që po zhvillohen nga policia, prokuroria dhe ekipet e mjekësisë ligjore.
Në vendngjarje vazhdojnë të qëndrojnë forca të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një version zyrtar vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve të plota.
