Vushtrria shpallet kampione e Ligës së Parë, promovohet në Superligë pas 6 sezonesh

Vushtrria shpallet kampione e Ligës së Parë, promovohet në Superligë pas 6 sezonesh

Vushtrria është shpallur kampione e Ligës së Parë, duke e mbyllur sezonin në vendin e parë.

Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku fitoi ndeshjen e xhiros së fundit ndaj Vëllaznimit – ndeshje e madhe për një vend në Superligë.

Vushtrriasit fituan 3-1, duke u rikthyer nga disavantazhi prej 1-0.

Dardan Jashari shënoi për 1-0 për Vëllaznimin në pjesën e parë.

Megjithatë, me të filluar pjesa e dytë, Vushtrria mori gjithçka në dorë, dhe shënoi tre gola për të marrë fitoren e madhe të kampionit.

Urim Statovci e barazoi në 1-1 rezultatin në minutën e 60-të të ndeshjes.

Nga pika e bardhë disa minuta më vonë, Vushtrria shënoi prapë me anë të Statovcit, për 2-1.

Erjon Krasniqi shënoi më pas për 3-1, dhe për tri pikët e mëdha të Vushtrrisë në këtë përballje të madhe.

Me këtë fitore, Vushtrria e mbylli sezonin në vendin e parë, me 75 pikë në Ligën e Parë dhe pas gjashtë sezonesh mungesë, do të rikthehet në Superligën e Kosovës.

Ndërkohë, Vëllaznimi ka mbetur edhe pa barazh, pas kësaj humbjeje.

Skuadra gjakovare e mbyll këtë edicion në vendin e gjashtë në Ligën e Parë, me 70 pikë të tubuara./

Related Articles