Që nga pranimi i fletëvotimeve nga mërgimtarët për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit, janë ngritur dyshime të shumta lidhur me vlefshmërinë e tyre.
Është një numër i madh i mërgimtarëve, që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës, e që kanë shprehur dyshime për llojin e fletëvotimit.

Gjithashtu, ata kanë deklaruar se në këto fletëvotime mungon edhe shiriti ngjitës.
Për këtë, mërgimtarët kanë ngritur dyshime për rrezikun e falsifikimit të votës së tyre, të cilën e shprehin me vullnet të plotë për të zgjedhur përfaqësuesit politikë në vendlindjen e tyre.

Përveç tyre, ka qenë edhe Muhamet Idrizi, politikani shqiptar nga radhët e CDU-së për Parlamentin e Hamburgut, që ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e fletëvotimeve të diasporës.
Ditë më parë, përmes një postimi në Facebook, Idrizi ka alarmuar se dokumentet zgjedhore të dërguara deri më tani për votuesit jashtë vendit nuk posedojnë shirit sigurie, duke vënë në pikëpyetje integritetin dhe gjurmueshmërinë e materialeve zgjedhore.
